Reagon kreu i AMA: Kërkesa për shkarkim e padrejtë, pse kthyem sinjalin

Kreu i AMA, Gentian Sala ka folur për procesin e dixhitalizimit si dhe pajisjen me dekodera për qytetarët. Sala tha se sinjali analog u rikthye edhe për 4 muaj pasi nuk ishte normale që qytetaret të qëndronin në radhë për dekodera.

“Normalisht dixhitalizimi ka një background që mbështet në kuadrin ligjor. Në Tiranë kemi pasur një situatë më të pazakontë nga qytetarët për dekodera. Nuk është situatë normale që qytetarët të rrinë në radhë për të marrë një shërbim. Ne morëm vendimin për të rikthyer sinjalin analog edhe për 4 muaj që situata të normalizohet dhe të shmangen radhët. Ne kishim një fushatë informimi prej dy vitesh, por duhet bërë më shumë për informimin e qytetarëve”- tha ai në rubrikën ‘Opinion’ në News24.

Në lidhje me kërkesën për shkarkimin e tij nga 4 anëtarët të bordit, kreu i AMA tha se nuk është shkelur rregullorja dhe argumentet e 4 anëtarëve janë të padrejta.

“Sot kishim një mbledhje Bordi dhe zoti Sami Neza kërkoi këtë shkarkim.  Unë nuk e shoh kur është shkelur rregullorja e bordit sepse nuk është mbledhur. Nuk e kërkuan të hidhej në votim kërkesa sot por e shtynë dhe më pas dolën me një deklaratë. Mbledhja e bordit nuk bëhet për këto çështje. Nuk ka asnjë shkelje në procesin e dixhitalizimit. AMA nuk merret me çështje administrative. Ata panë reagimin qytetar dhe reaguan, por argumentet më duken të padrejta”- tha ai.

Kreu i AMA tha se nuk ka ndërhyrë politika në vendimin për rihapjen e sinjalit analog edhe për 4 muaj të tjera. Sala u shpreh se procedura për pajisjen me dekodera është e rregullt.

“Politika nuk ka ndërhyrë në këtë proces. Ne patëm një shqetësim jo normal nga qytetarët në Tiranë dhe Durrës. Duhet të falënderojmë qeverinë për disa vendime që ka marrë për këtë proces. Janë dhënë mijëra dekodera falas për shtresat në nevojë si asnjë vend tjetër i rajonit. Dekoderat blihen në shumë kompani dhe ne kemi caktuar parametrat. Ne sigurohemi që të mos ketë monopol. Janë 8 kompani të mëdha që ofrojnë këtë shërbim. Procedura për pajisjen me dekodera është e rregullt. Ata do e shohin ndryshimin në shtëpinë e tyre. Do kenë 34 kanale pa pagesë. Cilësi më të mirë dhe do ketë informim më të madh. Televizionet kabllore kanë avantazhet sepse kanë shumë kanale, por nuk i kanë pa pagesë”- tha ai.