Raporti i Moody`s, kritika Qeverisë për PPP-të: Përbëjnë rrezik fiskal!

Gjiganti i vlerësimit të kreditit, Moody`s ka mbajtur të pandryshuar notën e borxhit Sovran të ekonomisë shqiptare, në B1 me perspektivë të qëndrueshme, e po ashtu edhe pjesa dërrmuese e indikatorëve makroekonomikë, me përjashtim të projeksioneve për ecurinë e çmimeve të konsumit. “Scan” ka siguruar ekskluzivisht raportin, ku thuhet ndër të tjera se, ritmi i kënaqshëm i ekonomisë shqiptare pritet të vazhdojë edhe përgjatë gjysmës së dytë të vitit, duke marrë shtysë nga kërkesa e fortë e brendshme.

Ndër të tjera, Moody`s, projekton që vitin e ardhshëm me shumë gjasa do të çelen formalisht negociatat për anëtarësim në union, gjë që do të ketë një ndikim mjaft pozitiv në ekonominë e vendit në terma afat-gjatë. Sa i përket projeksioneve, ato mbeten të pandryshuara, në 3.9% rritje këtë vit dhe 4% vitin e ardhshëm. Rritja ekonomike, thotë me tej Moody`s, do të ndikohet edhe nga aftësia e qeverisë për të përthithur investime të huaja direkte, si dhe vullnet për të vijuar me reformat strukturore.

Projeksionet për ecurinë e borxhit publik ndërkohë flasin për një nivel në 71.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, për të zbritur nën 70% vetëm vitin e ardhshëm. Risia kryesore e raportit të Moody`s, mbetet kritika e hapur ndaj PPP-ve. Gjiganti i vlerësimeve i bashkohet kështu institucioneve të tjera ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, duke thënë se shkalla e lartë e përhapjes së skemave të partneritetit publik privat, mungesa e kornizës rregullatore si dhe funksionimi i ofertave të pakërkuara përbën një rrezik fiskal.

Moody`s sqaron se, bëhet fjalë për mbi 200 kontrata të tilla të nënshkruara me një vlerë në të paktën 37% të PBB. Kjo është hera e parë që një rrezik i tillë që buron nga PPP nënvizohet nga Moody`s, një ndër tre agjencitë më të mëdha të vlerësimit në botë,së bashku me Fitch dhe Standard and Poor`s.