PS nis ndryshimin e ligjit për Teatrin, Shalsi: Do përmirësojmë draftin

Ndërkohë që pritet që dekreti i presidentit për Teatrin të kalojë në Kuvend dhe pak pasi BE dha përgjigjen për çështjen e Teatrit, duke theksuar se ligji nuk shkel MSA, por duhet garë e hapur, komisioni përgjegjes është i gatshem të bëjë ndërhyrje në projektligj, duke hapur garën për subjektet e interesuar.

“Ne jemi të gatshëm të përmirësojmë ligjin, thuhet që shkelet konventa ndërkombëtare e trashëgimisë, me të cilat ne nuk jemi dakord, kurse pika që do ndërhyjmë është që të mos jetë një subjekt, por të kemi thirrje të hapur për cilindo subjekt të interesuar për ta zhvilluar si projekt. Pra ne ti japim të drejtë cdo subjekti që aspiron, ka koncept për ta zhvilluar nga pikëpamja urbanistike atë pjesë, që është edhe TK  brenda”- tha Shalsi, kreu i Komisionit te Veprimtarise Prodhuese.

Procedurat në Parlament

Ligji për Teatrin do të ribëhet sipas KE-së, pasi Kuvendi do të pranojë dekretin e Metës.

Pas letrës që mbërriti në kryeministri nga Bashkimi Evropian, ku ligji për Teatrin Kombëtar siç kualifikohej edhe kritikohej, ky ligj shumë i debatuar do të ribëhet.

Por si do të arrihet kjo? Burime pranë Kuvendit të Shqipërisë i thanë dje mediave se komisioni përgjegjës, ai i Veprimtarisë Prodhuese do ta shqyrtojë këtë çështje javën e ardhshme.

Do jetë deputeti socialist, kryetar i këtij Komisioni, Eduard Shalsi që do të marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit Ilir Meta që e kthen ligjin për teatrin për rishqyrtim. Mënyra e vetme për ta rishkruar ligjin është pranimi i dekretit të Metës dhe automatikisht rrëzimin e ligjit të miratuar më 5 korrik.

Pas votimit në komision, dekreti do të jetë gati për t’u miratuar në seancën e 20 shtatorit siç është parashikuar. Pranimi i dekretit zeron ligjin paraprak dhe i kalon të drejtën qeverisë që të risjellë në Kuvend një ligj të ri, në vijim të rekomandimeve të Komisionit Evropian. Kjo letër nuk prek në asnjë rast thelbin, duke mos shprehur kundërshti për rrëzimin e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e teatrit të ri. BE-ja shpreh shqetësim vetëm për një prej pikave, atë të pjesëmarrjes në garë të vetëm një kompanie.

Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, i ka dërguar një letër qeverisë në të cilën sqarohet se ligji i depozituar në Parlament nuk shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por i sugjeron qeverisë që të ftojë edhe aktorë të tjerë të interesuar në një garë të hapur.

Në letër shkruhet se “Komisioni Europian nuk ka asnjë kompetencë për të vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit Special me kuadrin ligjor aktual të Shqipërisë”, por nga ana tjetër, ajo shprehet se nuk ka asnjë shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, përkundër asaj çfarë ka deklaruar deri më sot opozita shqiptare. “Artikulli 74(3) i MSA-së i referohet dhënies së aksesit të barabartë kompanive private që duan të lidhin kontrata, duke u bazuar në Ligjin Shqiptar mbi Prokurimet Publike dhe jo mbi acquis-të e Bashkimit Europian.

Ndonëse, në këtë pikë nuk vërejmë asnjë shkelje të MSA-së, Komisioni Europian mirëpret vullnetin e autoriteteve Shqiptare për ta amenduar Ligjin Special, me qëllim hapjen e garës për projektin e Teatrit Kombëtar, në mënyrë që çdo kompani private të mund të aplikojë një propozim për projektin”, thuhet të letrën e Komisionit Europian.

Duke marrë në konsideratë qëndrimet që ka mbajtur mazhoranca pas letrës së BE-së, në Kuvend do të vijë një ligj i ri që sërish do të ketë objekt ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar, por do të rindërtohet struktura e ligjit, duke lënë të hapur mundësinë e garimit edhe të kompanive të tjera, veç firmës FUSHA./Koha Jonë/