Myrtis dhe historia e saj mbërrin në Tiranë

Myrtis dhe historia e vajzës së veçantë për Kombet e Bashkuara vjen në ekspozitën “Myrtis: Ballë për ballë me të shkuarën”, në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) për publikun.

Ekspozita shpalos fytyrën e saj të rindërtuar, shoqëruar me shkrime dhe imazhe të cilat përshkruajnë plot gjallëri botën në të cilën ka jetuar Myrtis, përpjekjet e saj, sfidat e saj, duke sjellë në jetë në të njëjtën kohë epokën e Perikliut dhe Luftën e Peloponezit.

Myrtis është një vajzë 11 vjeçare, e cila vdiq në mënyrë tragjike nga epidemia e tifos që pllakosi Athinën e lashtë dymijë e pesëqind vjet më parë. Për arkeologët dhe historianët, fytyra e kësaj vajze të vogël ka sjellë në jetë një aspekt shumë të rëndësishëm të historisë greke dhe u ka dhënë përgjigje shkaqeve të humbjeve të jetëve të shumë athinasve.

Tetë vite të shkuara ajo u kthye në një “Mike të Kombeve të Bashkuara” dhe tashmë “është ringjallur” për t’u bërë një zë i fuqishëm në parandalimin e sëmundjeve që prekin fëmijët. Po, është e vërtetë që Myrtis vdiq nga ethet e tifos përpara 2500 vjetësh, por në ditët e sotme kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë.

Të dhënat nxjerrin në pah faktin se pavarësisht përpjekjeve shumë të mëdha për reduktimin e vdekshmërisë te fëmijët dhe në luftën kundër malaries dhe sëmundjeve të tjera, çdo vit mbi 6 milionë fëmijë humbin jetën përpara se të arrijnë moshën pesëvjeçare. Sëmundjet që mund të parandalohen përmes vaksinimit vazhdojnë të jenë sërish shkak që 1.5 milionë njerëz të humbin jetën çdo vit nëpër botë.

Ambasada Greke në Tiranë, COD dhe OKB sjellin historinë e kësaj vajze të vogël dhe për të theksuar se lufta pothuajse kundër çdo sëmundjeje mund të fitohet. Objektivi i tretë i Zhvillimi të Qëndrueshëm : Shëndet i Mirë dhe Mirëqenie, promovon mënyra jetese të shëndetshme, masa parandaluese dhe kujdes shëndetësor modern dhe efikas për të gjithë.

Aksesi në mjekësi dhe në shërbimet e kujdesit shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut. Çdo individ duhet të marrë trajtimin e nevojshëm për të gëzuar një jetë të shëndetshme dhe produktive.

Ekspozita çelet për publikun në COD në datë 14 shtator dhe do të qëndrojë e hapur deri më 10 tetor./a.a/ /a.g/ – atsh/