Mbyllet raundi i parë i regjistrimit në Universitete, me 15 shtator nis plotësimi i A3

Rreth 16 mijë e 400 maturantë kanë fituar të drejtën e studimit dhe në tetor do të ulen për herë të parë në auditore.

Raundi i parë në Universitete u mbyll këtë të mërkurë dhe Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, thotë se numri më i lartë i të regjistruarve ka qenë në degët e Universitetit të Mjekësisë dhe atij të Tiranës.

Arjan Xhelaj: Regjistrimet më të mëdha kanë shkuar në degët ekonomike. Në total kombëtar në rang vendi në degët ekonomike janë regjistruar rreth 21% e totalit, në vend të dytë shkencat politike dhe ato sociale me 19.5%, të ndjekur nga mësuesia rreth 16.5%, në vend të katërt është infermieria që edhe ajo ka pasur një rritje. Juridiku në tre vitet e fundit pothuajse është ezauruar plotësisht.

Por nga 36 mijë kuota që ofrojnë Universitetet kanë mbetur bosh thuajse edhe gjysma e tyre.

Në Universitetin e Tiranës janë ende të lira 1300 kuota, në Universitetin Politeknik 500, ndërsa në atë të Mjekësisë vetem 100 kuota.

Arjan Xhelaj: Kuota aktive ka akoma, kryesisht janë ezauruar kuotat në degët e Universitetit të Mjekësisë. Është vetëm një kuotë në Mjekësi dhe disa kuota në Stomatologji dhe Farmaci.

Të shtunën e 15 shtatorit do të nisin aplikimet për Formularin A3.Të drejtën për të aplikuar e kanë maturantët që kanë kaluar me sukses provimet e vjeshtës si dhe ata që nuk rezultuan fitues në raundin e parë.

Arjan Xhelaj: Është i njëjti proces si me formularin A2.Do të logohen me kredencialet e tyre në këndin e aplikimit A2, A3 që është në logon në portal dhe do të hedhin 1 deri në 10 preferencat e dëshirueshme, preferencat janë të korrigjueshme deri në momentin që nuk i keni konfirmuar, pasi keni bërë konfirmimin e  tyre ato nuk mund të korrigjohen më në sistem.

Ndërkohë, në datën 13 maturantët që nuk janë të bindur për degën ne të cilën janë regjistruar gjatë raundit të parë kanë të drejtë të çregjistrohen pranë Sekretarive mësimore.