Ligj i ri, Mehmetaj: PS po tallet, Teatri është i shqiptarëve dhe do të mbetet me çdo kusht

Lidhur me nisjen nga ana e mazhorancës të procedurave parlamentare për ndryshimin e ligjit për teatrin, të rrëzuar me dekret të Presidentit ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kejdi Mehmetaj.

Përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Mehmetaj shprehet se PS-ja po tallet me shqiptarët, duke shtuar se socialistët duan të përfitojnë miliona euro në kurriz të pronës tonë publike dhe po bëjnë çmos të shkatërrojnë identitetin tonë kombëtar.

Reagimi i plotë i deputetes së LSI-së

Lexoja deklaratat e sotme të mazhorancës mbi ligjin korruptiv të Teatrit Kombëtar.

Nuk po di më të ndaj marrinë nga qesharakja.

Vërtet mendojnë “këta” se mund të tallen kështu me shqiptarët? Mirë se duan të përfitojnë miliona euro në kurriz të pronës tonë publike… Mirë se po bëjnë çmos të shkatërrojnë identitetin tonë kombëtar… Tani duan të na bëjnë edhe për budallenj.

Teatri është i shqiptarëve dhe do të mbetet i shqiptarëve me çdo kusht.