KE i kërkon Parlamentit Evropian t’i heqë vizat Kosovës

Pasi çështja e liberalizimit të vizave të Kosovës ka kaluar në Komitetin për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), tashmë është hapur rruga për fillimin e trialogut mes Komisionit Evropian, Parlamentit dhe Këshillit të Ministrave.

Ende nuk është bërë publike nëse kanë filluar këto bisedime, mirëpo Kosovës i mbetet të kalojë edhe dy votime të rëndësishme – atë të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të Ministrave për të fituar liberalizmin e vizave, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ndërkohë Komisioni Evropian mësohet se ka thënë se inkurajon Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Ministrave për të ecur përpara në propozimin për heqjen e vizave për Kosovën.

“Kosova ka bërë përparim të madh gjatë dy vjetëve të fundit dhe është e rëndësishme që zbatimi i të gjitha standardeve të vazhdojë. Komisioni tani inkurajon Parlamentin Evropian dhe Këshillin për të ecur përpara në propozimin e Komisionit për heqjen e kërkesave për vizat për Kosovën”, thuhet në komunikatën për mediat.