“Dita Kombëtarë” e Katalonjës, një milion njerëz marshojnë në rrugë

Rreth një milion njerëz dolën në rrugët e Barcelonës të martën, për të shënuar “Ditën Kombëtare” të Katalonjës, duke shfaqur sërish mbështetjen e pakufizuar për pavarësi.

Festimi i përvitshëm është i pari që pas tentativës së dështuar të Katalonjës për t’u mëvetësuar nga Spanja, tetorin e vitit të kaluar.

Një “det” protestuesish që mbanin veshur bluza të kuqe dhe flamuj të verdhe e kuq katalanas u binin daulleve, vërshëllenin dhe thërrisnin në kor parulla mbështetjeje.

Pjesëmarrja këtë vit ruan thuajse të njëjtën numër si vitin e kaluar.

Presidenti rajonal i Katalonjës, Quim Torra, dhe paraardhësi i tij Carles Puigdemont, i cili u largua në ekzil drejt Belgjikës pas tentativës së dështuar për pavarësi, u kanë bërë thirrje njerëzve të dalin e të demonstrojnë.

Në fund të mitingut, Torra theksoi se “sapo kemi nisur një marshim të pafund”.

“La Diada”, që përkujton ditën kur Barcelona ra në duart e ushtarëve të Mbretit Philip V në vitin 1714, përgjatë 8 viteve të fundit është shfrytëzuar si momenti i duhur për të organizuar mitingje pro pavarësisë.

Ky është i pari organizim i tillë që kur Katalonja zhvilloi referendumin për pavarësi më 1 tetor 2017 dhe shpalli më pas në mënyrë të njëanshme pavarësinë më 27 tetor.

Por, përpjekja dështoi pasi Gjykata Kushtetuese spanjolle e konsideroi të paligjshme këtë lëvizje të separatistëve, ndërsa Madridi zyrtar rivendosi sundimin e drejtpërdrejtë mbi rajonin e pasur.