Bonusi për mosbraktisjen e shkollës, Manastirliu: Përfitojnë mbi 47 mijë fëmijë të familjeve në nevojë

Mbi 47 mijë fëmijë të familjeve në nevojë përfitojnë nga bonusi për mosbraktisjen e shkollës. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila shpërndau librat falas për fëmijët e komunitetit rom në banesat sociale Lanabregas.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po mbështet financiarisht fëmijët e familjeve që përfitojnë nga pagesa e ndihmës ekonomike, që të mos braktisin shkollën. Mbi 47 mijë fëmijë të familjeve në nevojë, përfitojnë nga kjo politikë nxitëse për arsimimin e fëmijëve, pagesa të posaçme për ndjekjen e arsimit të detyrueshëm”, tha Manastirliu.

171 milionë lekë është fondi i vënë në dispozicion për vitin 2018 për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike për fëmijët që nuk braktisin shkollën.

Sipas ministres, reforma e qeverisë për garantimin e librave falas për 190 mijë fëmijë, ku përfshihen edhe ato të komunitetit rom e egjiptian i afron më shumë drejt arsimit.