Zëvendësimet e çuditshme të Panuccit në pushim, diçka nuk shkon …

Zgjedhjet e çuditshme të Panuccit, zëvendësime që në startin e pjesës së dytë

Të shumtë janë futbollistët që lënë shenjë kur futen në fushë në pjesën e dytë, teksa Allegri në Itali është vlerësuar shumë për këtë aspekt te Juventusi. Ndërkohë që trajneri Panucci i ka kthyer në modë zëvendësimet që në startin e pjesës së dytë.

Në 10 ndeshjet që trajneri italian ka drejtuar deri më tani Shqipërinë, në 7 prej tyre ai ka ndërhyrë para përfundimit të pjesës së parë, apo në fillimin e të dytës, duke kryer gjithsej 12 zëvendësime.

Disa prej tyre kanë qenë edhe sfida miqësore, dhe siç e ka deklaruar edhe vetë, Panuçi ka bërë eksperimentet e tij, por diçka e tillë ka ndodhur edhe në 4 sfida zyrtare, ku 45-vjeçari ka kryer 6 zëvendësime pa nisur pjesa e dytë. Në Maqedoni u larguan Kukeli e Llullaku për Bashën e Memushajn, në Spanjë Memolla i la vendin Agollit ndërsa Balliu, Sadikut, kundër Izraelit Guri qëndroi në dhomat zhveshjes me Balajn që mori qendrën e sulmit.

Diçka të tillë e bëri edhe mbrëmë, ndaj Skocisë, ku sapo po niste pjesa e dytë, futi Prengën në vendin e Gavazajt. Ende nuk është e qartë se çfarë e shtyn trajnerin të bëjë kaq shumë ndryshime, vetëm pas 45 minutash. Diçka nuk po shkon me të, apo ndoshta lojtarët nuk japin atë që ai pret.