Yllin rus e merr në qaf babai, rrezikon pezullimin për doping

Fillimisht dolën zëra, por futbollistët e Rusisë po hetohen zyrtarisht për përdorim substancash të ndaluara. Denis Cheryshev është emri i spikatur i Botërorit rus, por që tashmë është nën hetim për doping. Lajmin e ka bërë të ditur Daily Telegraph që citon një zëdhënës të Wada-s në portalin rus Sport Express.

“Cështja është në dorë të agjensisë antidoping spanjolle, Aepsad. Ata do të na njoftojnë për rezultatet”, është shprehur Maggie Durand. Ajo që duhet të verifikohet në Spanjë është nëse ka patur përdorim të hormonit të rritjes, të injektuar nga mjekët e përfaqësueses rus në grumbullimin para Botërorit e nëse ky përdorim është autorizuar për motive shëndetësore.

Gjithçka lindi nga një intervistë e të atit të Cheryshev në Sport Ëeekend, që saktësoi se fjalët e përdorura ishin pikërisht këto “hormoni i rritjes”, por ndoshta Dimitri kërkonte të thoshte “faktori i rritjes”, si për shembull plazma e pasur me piastrina, siç pretendon federata ruse.

Duhet saktësuar se edhe përdorimi i hormonit të rritjes nuk përbën krim nëse duhet për një problem shëndetësor, por nëse nuk është kështu mesfushori i Valencia rrezikon një skualifikim deri në 4 vjet.