Vrau shqiptarin, burg përjetë 27 vjeçares greke. E veja mes lotësh: Na vrau të gjithëve!

Pa i njohur asnjë rrethanë lehtësuese, gjykata ka vendosur dënimin me burgim të përjetshëm për një 27 vjeçare greke, e cila vrau me thikë një 35 vjeçar shqiptar.

Ajo është dënuar edhe me katër vite për posedimin dhe përdorimin e armëve të zjarrit të paligjshme si dhe një gjobë prej 2 000 eurosh.

E reja greke njihej si përdoruese droge dhe ditën e ngjarjes, po bënte zhurmë në banesë. Shqiptari Valton Loka, babai i dy fëmijëve, shkoi për ta ndihmuar, por ajo e goditi me thikë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 11 nëntor 2017 në zonën Xeropotamou të Kretës. Vajza ka pranuar krimin më herët dhe kërkoi falje edhe gjatë seancës së sotme., duke deklaruar se nuk donte ta vriste.

“Unë nuk mund t’ju shikoj në sy”, tha ajo, duke shtuar se viktima e kishte ndihmuar gjithmonë kur kishte pasur probleme dhe se kishin marrëdhënie të mira.

Gruaja shqiptare bëri një deklaratë të dhimbshme në seancë.

“Ai vrau katër persona! Burrin tim, mua dhe dy fëmijët tanë”, tha ajo mes lotëve.

Mediat greke shkruajnë se gruaja e ve shqiptare me dy fëmijët e saj mbeti pa përkrahje pas vrasjes së bashkëshortit, duke u larguar në drejtim të Gjermanisë.

Autorja e vrasjes kishte pasur edhe më herët probleme me ligjin, teksa ishte liruar me kusht për shkak se ishte e prekur me HIV/AIDS si dhe trajtohej për konsumim droge.