Vrasja në Memaliaj, të akuzuarit kishin paditur viktimën për pronën

Gjykata e Gjirokastrës ka lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg” 59-vjeçarin Hetem Muho dhe 20-vjeçarin Dino Muho. Ata janë arrestuar katër ditë më parë si autorë të dyshuar të vrasjes së 43-vjeçarit në Rabije të Memaliajt.

Ndërkohë që viktima Alket Muho, u përfol se ishte informator i policisë, sa i takon parcelave më kanabis të mbjella në Gllavë, fshati më i afërt me fshatin Rabije, vendin ku u vra. Ky informacion nuk u konfirmua asnjëherë zyrtarisht, ndërsa burime konfirmojnë se i ndjeri ka informuar për disa parcela aty pranë.

Nga ana tjetër, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, për zbardhjen e ngjarjes, thuhet se shkak i kësaj vrasje është problemi me tokën që këta persona kishin pasur më parë, ndërsa në fillim janë hetuar edhe dyshimet e drogës, por të cilat nuk kishin nxjerrë asnjë të dhënë me vlerë. Në bazë të hetimeve, prokuroria ka argumentuar se ndalimi i tyre (babë e bir) u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ditën e martë rreth orës 11:35, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Alket Muho, 43 vjeç, banues në fshatin Rabije, Tepelenë. Kjo ngjarje ndodhi në vendin e quajtur “Bolovec” të fshatit Rabie. Nga tërësia e veprimeve hetimore, dyshohet se dy autorët e kanë vrarë 43-vjeçarin për shkak të konflikteve të përsëritura me motive pronësie, në fshatin e origjinës së autorëve. Seanca e djeshme u zhvillua në orët e pasdites, ndërsa mësohet se ashtu si në përgjigjen e dhënë para hetuesve në polici edhe dje, Muhot kanë thënë se nuk janë ata autorë të vrasjes. “Ndodheshim rastësisht në fshatin Rabije, ishim për vizitë në vendlindje”, kanë thënë ata para policisë.

Konflikti i pronësisë dhe zgjidhja e Gjykatës

Burime thanë se prej dy vjetësh, Hetem Muho kishte pasur probleme pronësie me 43-vjeçarin e gjendur të vrarë paraditen e të 6 shtatorit, por në një vendim të Gjykatës së Gjirokastrës që “Shekulli” disponon, duket se ky konflikt është shuar. Kjo pasi vetë Hetem Muho, ka kërkuar pushimin e gjykimit për çështjen, duke e lënë situatën me aq. Padia ndaj Alket Muhos është ngritur nga Hetem Muho në datën 17 korrik të 2017-ës, ndërsa në janar të këtij viti, padia është shuar me kërkesë të vetë Hetem Muhos. Ky i fundit në kërkesë padinë e bërë, kërkonte ndalim cenimi në pronësi dhe mos përsëritjen më në të ardhmen, si dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga Alket Muho. “Në seancën gjyqësore të datës 08 janar 2018, pala paditëse Hetem Muho, hoqi dorë nga gjykimi i çështjes, duke kërkuar pushimin e gjykimit te kërkesë padisë. Përfaqësuesi i të paditurit ishte dakord me kërkesën e paditësit për heqje dorë nga gjykimi i padisë”, shkruhet në vendimin e Gjykatës së Gjirokastrës. “Gjykata, bazuar në nenin 201/1 dhe 299/b të Kodit të Procedurës Civile vendosi: Pushimin e gjykimit të çështjes civile me palë paditëse Hetem Muho; I paditur Alket Muho; me objekt; Ndalim cenimi ne pronësi dhe mos përsëritjen më në të ardhmen. Shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga i padituri”, shkruhet në dispozitivin e vendimit.

Provat

Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor, duket se një nga provat e përdorura nga prokuroria, është fakti se Hetem Muho është pronar i një arme e llojit çifte, që e kishte deklaruar të vjedhur një ditë pas vrasjes. Ajo armë nuk është gjetur ende, ndërsa ka dyshime se është përdorur për ekzekutimin e 43-vjeçarit. Në bazë të ekspertizës së bërë kufomës, rezulton se Aleket Muho është vrarë nga dy armë, pasi ka plagë plumbi kallashnikovi dhe çifte. Ndërkohë, si shkak të krimit, prokuroria në relatimin para gjykatës ka dhënë se dy autorët e kanë kryer krimin për shkak të konflikteve të përsëritura me motive pronësie. Prokuroria i ka vënë para drejtësisë dy të arrestuarit, për tre vepra penale “Vrasje me dashje” kryer në bashkëpunim, “Prodhim e mbajtje pa leje armëve luftarake e municionit” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje armëve të gjuetisë dhe sportive”