VIDEO/ Zbardhen detaje, agjenti sekret tentoi të shpëtonte të riun shqiptar të vrarë në SHBA

Një agjent i shërbimit sekret amerikan tentoi të shpëtonte 23-vjeçarin shqiptar që u vra në New York.

Sipas mediave amerikane, agjenti ishte jashtë detyrës kur dëgjoi të shtënat me armë në Brooklyn.

Ai po kalonte në rrugën ‘Fourth Avenue’, kur pa Grei Frashërin të shtrirë në tokë. Agjenti tentoi të ndihmonte dhe njoftoi menjëherë ambulancën.

Pavarësisht ndihmës që iu dha, shqiptari nuk mundi të mbijetonte. Ai u shpall i vdekur në spital pak pasi ishte transportuar.

Ngjarja

Një shqiptar është qëlluar për vdekje në New York.

Autoritetet amerikane bënë të ditur se viktima është Grei Frashëri, 23 vjeç. Ai u vra mbrëmjen e 7 Shtatorit në Bay Ridge në Brooklyn.

Në vendin e ngjarjes u gjetën disa gëzhoja, ndërsa mësohet se tre makina janë larguar me shpejtësi momentin kur ndodhi vrasja. Deri më tani nuk dihet se kush e shkrepi armën. Gjithashtu po hetohet për të zbuluar shkaqet që çuan në vrasjen e 23-vjeçarit shqiptar.

Ndërkohë të afërm të riut shqiptar kanë reaguar në Facebook, ku shprehen të hidhëruar për vdekjen e njeriut të tyre.

“Ai ishte pikë mbështetjeje për miqtë e tij, me një buzëqeshje ngjitëse dhe gjithmonë kujdesej për të tjerët. Dua që kjo dhimbja dhe ky trishtim i paduruar të mos i bjerë askujt”, shkruan kushëriri i tij, Rifat Sokoli.

Ai u bën thirrje të gjithëve atyre që kanë informacion për vrasjen e Greit t’ua tregojnë autoriteteve. Ndërkohë në një faqe dedikuar viktimës, hopeforgrei.com, një i afërm tjetër shkroi se familja ka vendosur që ta falë fajtorin.