Sulmi i 11 Shtatorit, Bushati: Lufta ndaj terrorizmit s’është e lehtë

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka kujtuar sot sulmet terroriste të 11 shtatorit, që goditën SHBA 17 vite më parë. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ministri Bushati tha se tragjedia e 11 Shtatorit ndryshoi botën.

“Aktet terroriste të 11 shtatorit 2001, ku mijëra njerëz humbën jetën ndryshuan botën ashtu siç e njihnim. Sulmi i 17 viteve më parë nuk ishte sulm ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ishte sulm kundër paqes, sigurisë, bashkëjetesës dhe vlerave të një shoqërie që mbështetet tek parimet e demokracisë liberale. Lufta ndaj terrorizmit nuk është dhe nuk do të jetë e lehtë, por nuk ka alternativë përveçse ta përballojmë së bashku. #NeverAgain”, shkruan ministri Bushati.

Më 11 shtator 2001, ekstremistë që kishin ndërmarrë misione vetëvrasëse rrëmbyen katër avionë me pasagjerë, duke i shndërruar në predha të komanduara kundër dy kullave të World Trade Center në Nju Jork, si dhe kundër Pentagonit.