Spanja turpëron keq Kroacinë dhe i shkakton humbjen më të thellë në histori (VIDEO)

Kush tha që epoka e Spanjës ka përfunduar, duhet të mendohet mirë, pasi iberikët janë një kombëtare e frikshme. Skuadra e Luis Enriques është treguar e pamëshirshme në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Kroacisë, duke i turpëruar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Spanja triumfoi në shifrat 6-0 në ndeshjen e dytë në këtë kompeticion për ta, duke treguar supermacinë ndaj nënkampionëve të Botës. Saul hapi serinë e golave në minutën e 24-të, ndërkohë që më pas do të ishte radha e Asensios për të dhuruar spektakël, duke shënuar dy gola, i dyti ishte një kryevepër e vërtet, që në fund u devijua nga portieri Kalinic.

Në pjesën e dytë Spanja shënoi dhe tre gola të tjerë me Rodrigon në minutën e 49-të, Sergio Ramos në të 57-të dhe Iscon, i cili realizoi një gol shumë të bukur në minutën e 70-të. Krocia pësoi humbjen më të rëndë në histori, duke e nisur në mënyrën më të keqe Ligën e Kombeve. /Koha Jone/