Shqiptarët i japin dritën “jeshile” referendumit në Maqedoni

Partitë politike në Maqedoni, edhe pse të ndara për një sërë çështjesh, bashkohen në një pikë dhe ky është referendumi i 30 shtatorit. Ato njëzëri shprehen se mbështesin referendumin për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, ndërsa bëjnë thirrje që qytetarët të dalin në votime.

BDI-ja, Aleanca dhe Besa janë në një linjë në këtë drejtim, pasi sipas tyre, referendumi i hap rrugë vendit në anëtarësimin e strukturave euro-atlantike. Përfaqësues të këtyre partive kanë folur për mediat në Maqedoni, ku pikëpamjet e tyre janë në të njëjtën kornizë.

“Këtu kemi njerëz të cilët që kanë qenë në qeverisjen e kaluar dhe çuditërisht iu bashkëngjitën kësaj shumice me po të njëjtën retorik, po i bëjnë konfuz edhe njerëzit pasi që nuk dinë më se cilës retorik të i besojnë. Kjo që po e them është e hapur, se ne nuk duam që të jemi pjesë lojërave të partive politike që duan këtë çështje të integrimeve në NATO ta personalizojnë apo t’i marrin meritat për vete”- deklaroi Arianit Hoxha nga Lëvizja BESA e Kasamit.

“Pse Maqedonia nuk është anëtare e NATO-s që moti, fajet sigurisht i ka garnitura e kaluar e Qeverisë. Ky faj ka një emër dhe mbiemër, gjithsesi dihet se fajtori ka qenë Nikolla Gruevski . Në këtë situatë BDI-ja nuk ka qenë një faktorë i rëndësishëm që ka mundur ta shtyjë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO”- theksoi Syrjah Rashidi, deputet i Aleancës.

Një ndër shtyllat, nga tre shtyllat kryesore të BDI-së është integrimi i vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ne japim përgjegjësi për pjesën tonë të bashkëqeverisjes në të kaluarën. Por ne jemi dëshmitarë se pa Bashkimin Demokratik për Integrim nuk do të ndodheshin ndërrimet që u bën pas 27 prillit”- theksoi Rexhail Ismaili, deputet i BDI-së.