Shkarkohet prokurori Bujar Hoti, futet në ngërç ngritja e KLP-së

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Apelit të Durrësit, Bujar Hotin, por me këtë shkarkim, është futur në ngërç edhe ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kujtojmë se nga tre kandidatë që vinin nga prokuroritë e apeleve, dy prej tyre janë shkarkuar, duke bërë që të ketë mungesa, pasi në ligj theksohet se nga 6 anëtarë që vijnë nga prokurorët, dy duhet të jenë nga Apeli, ndërsa një prej tyre duhet të jetë patjetër nga rrethet.

“Dy prej të zgjedhurve janë prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të apelit, duke përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë një gjykate apeli jashtë Tiranës”, theksohet në ligjin për organet e reja të drejtësisë.

Nga Prokuroria e Apelit të Tiranës ka qenë kandidat prokurori Luan Kaloçi, i shkarkuar pasi sipas KPK, nuk justifikonte pasurinë e tij, ndërkohë prokurori Apelit të Shkodrës, Arben Dollapaj rezultoi i pastër në të tre kriteret, duke u konfirmuar, ndërsa i fundit që kaloi në sitën e Vetting-ut, prokurori Bujar Hoti, u shkarkua, pasi kishte probleme me pasurinë dhe kontratat për blerjet e pasurive, që u cilësuan si fiktive nga komisioni dhe përfaqësuesi ndërkombëtar. Në kushtet kur ka mungesa të kandidatëve, ngritja e KLP do të vonojë akoma më shumë, kjo për shkak të gjetjes së kandidatëve, të cilët më pas do të duhet të kalojnë edhe vettingun. Hetimi për këtë të fundit kërkon kohën e duhur.

Problemet e Bujar Hotit me pasurinë

Në seancën e zhvilluar në datën 6 qershor Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e akuzoi Hotin se ka bërë kontrata fiktive për blerjen e pasurive të tij të paluajtshme, konkretisht për blerjen e një apartamenti i cili është shndërruar në zyrë dhe një tjetër apartament banimi në Durrës. Komisioni tha se ka dyshime se për këto pasuri prokurori dhe bashkëshortja e tij, kanë bërë kontrata fiktive, duke vendosur çmime fiktive për pasuritë, që sipas llogaritjeve kanë tjetër vlerë.

Gjithashtu nga analiza financiare rezultoi se prokurori dilte me bilanc negativ, duke mos mbuluar dot shpenzimet. Në lidhje me këto kontrata reagoi edhe përfaqësuesi i ONM-së, Theo Jacobs, i cili i konsideroi si një skenar të prokurorit që të mund t’ia dalë hetimit që po kryhet. “Unë kam shumë pyetje për të bërë, por do t’i përmbledh të gjitha, vetëm në një. Pse për veprime shumë të thjeshta blerje, ju i keni komplikuar aq shumë?”, tha Theo Jacobs, ndërsa përgjigja e prokurorit dhe avokatit të tij, Julian Mërtiri, nuk e ka bindur aspak.

Hoti tha se nuk ka asnjë gjë të çuditshme në transfertat e bëra, ndërsa Mërtiri i këshilloi që situatën ta shikonte në realitetin shqiptar. Por Jacobs i është përgjigjur duke i thënë se skenarët e sjellë përballë KPK-së, nuk i duken aspak normal, ndërsa ironizoi duke thënë se prokurori ka paguar për bukën dhe kekun te dyqani i mishit, kur fare lehtë mund ta kishte bërë pagesën te dyqani i bukës. Pavarësisht të gjitha akuzave të bëra nga KPK, prokurori tha se nuk e kishte bërë “pisë” figurën e prokurorit në gjithë këto vite duke kërkuar konfirmimin në detyrë. Ndërkohë, dje në seancë e filluar në orën 10:00 të ditës së djeshme, komisioni dha vendimin për shkarkimin e tij, duke e bërë më të vështirë edhe ngritjen e KLP-së.

Shkarkimi i Besa Nikëhasanit

Tashmë ish-prokurorja e Apelit të Shkodrës, Besa Nikëhasani, është kandidatja tjetër për anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e cila është shkarkuar. Ajo u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në muajin prill të këtij viti. Sipas hetimit të kryer nga komisioni ka rezultuar se Nikëhasani, kishte probleme me deklarimin e pasurisë. Nga ana tjetër, vetë prokurorja e mohoi një gjë të tillë dhe megjithëse e pranoi edhe vetë që ka parregullsi në deklarimet e bëra ndër vite, sipas saj, kjo ka ndodhur për disa gabime njerëzore, duke mohuar çdo akuzë të bërë nga KPK. Në relatimin e saj, Genta Tafa Bungo, tha se nga raporti ka rezultuar se prokurorja Nikëhasani, ka gënjyer për apartamentin në Lezhë, pasi nuk e justifikon me dokumente ligjore pronësinë e atij apartamenti të deklaruar në vitin 2014. Ky apartament ishte edhe burim i të ardhurave, me të cilat është blerë një apartament në Shëngjin dhe një dyqan në qytetin e Lezhës. Më tej, hetimi i KPK-së është përqendruar në një apartament me sipërfaqe 87 m2 në Shëngjin, një njësi shërbimi 150 m2 në Lezhë, një apartament  90 m2 dhe 2 garazhe në Tiranë si dhe një automjet tip “Toyota Land Cruiser”. Për sa më sipër, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arritur në përfundimin se subjekti nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e apartamentit në Tiranë prej 90 m2 si dhe blerjen e një automjeti “Toyota Land Cruiser” me vlerë 19,500 euro.

KPA

Pas shkarkimit prokurorja Besa Nikëhasani e apeloi vendimin, ndërsa në nesër pritet të zhvillohet kërkesa e saj. Do të pritet edhe vendimi i shkallës së dytë, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në mënyrë që Nikëhasani të konsiderohet një kandidate e “humbur”, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Hotin, nëse ai apelon vendimin e shkarkimit. Pas këtyre hapave, pritet që të shpallen vakancat për këto pozicione. “Ditën e  mërkurë më datë 12 shtator ora 09:30, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja nr. 6/2018 (JR) datë 21 qershor për ankimin që subjekti i rivlerësimit znj. Besa Nikëhasani ka bërë kundër vendimit nr.15, datë 20.04.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë. Trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët: Kryesues: Sokol Çomo. Relatore: Albana Shtylla. Anëtarë: Rezarta Schuetz, Natasha Mulaj, Ardian Hajdari​”, shkruhet në njoftimin zyrtar.