Reagim i ambasadës Ruse në Tiranë në lidhje me shkrimin e botuar në “Koha Jonë”

Reagim i Ambasadës Ruse në Tiranë në lidhje me shkrimin e botuar në gazetën “Koha Jonë”

Gazeta “Koha Jonë” demonstroi sot një shembull të qartë të një propagande naive dhe dukshëm qesharake. Duke përdorur një mënyrë kaq fëminore si atribuimi i fjalëve “të duhura” një personi tjetër, gazeta “ka demaskuar” planet që gjoja ka Rusia për rishikimin e kufijve në rajonin e Ballkanit.

Autori i editorialit zoti S.P.(https://online.flippingbook.com/view/605274/2/) u këshillon lexuesve të tij “të marrin lapsin dhe të lexojnë me kujdes çdo rresht” të intervistës së senatorit amerikan Ron Johnson për “Zërin e Amerikës” të dhënë më datë 10 shtator, por akoma më mirë, nëse e lexojnë atë “mes rreshtave”. Lind pyetja: po përse vetë autori nuk ka vepruar kështu? Intervista e Ron Johnson-it, pa dyshim, është e mbushur plot me sulme antiruse, çfarë edhe nuk përbën habi. Megjithatë, zoti S.P. e interpreton atë në mënyrë origjinale për të paraqitur tashmë akuzat të tij të rënda kundër Rusisë duke arritur deri aty sa të pretendojë se Moska gjoja dëshiron të përdorë “precedentin ballkanik” për rishikimin e kufijve të republikave ish-sovjetike. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një manipulim i hapur i opinionit publik dhe mosrespekt ndaj lexuesve të gazetës.

Ju kujtojmë se në fund të gushtit të këtij viti këshilltari i Presidentit të SHBA-së për sigurinë kombëtare John Bolton ka shpjeguar qëndrimin e Uashingtonit për dialogun aktual midis Beogradit dhe Prishtinës: “Politika e SHBA-së është e tillë që nëse të dyja palët gjejnë gjuhën e përbashkët mes tyre dhe arrijnë një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë edhe korrigjimet territoriale”. Shtrohet sërish një pyetje: përse pas deklaratës së John Bolton-it zoti S.P. nuk e pa të udhës të shkruante një editorial për faktin se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë ndryshimin e kufijve në Ballkan dhe duan t’i heqin Kosovës “Trepçën” dhe Ujmanin?

Përsa i përket qëndrimit zyrtar të Rusisë, që në dhjetor të vitit 2017 Presidenti Putin deklaroi qartë se Rusia është e gatshme të mbështesë “çfarëdolloj vendimi reciprokisht të pranueshëm që do të arrihet nga Beogradi dhe Prishtina”. Tërheqim vëmendjen tuaj te fakti se Presidenti rus nuk përmendi asnjë rishikim kufijsh.

Shpresojmë se gazeta “Koha Jonë” do të publikojë komentin tonë, si edhe do të japë shpjegimet përkatëse në lidhje me dezinformimin e përmendur më sipër.

Tiranë, më 11 shtator 2018

No automatic alt text available.
Shënim i redaksisë së gazetës “KOHA JONE”: Për korrektesi dhe profesionalizëm po botojmë reagimin e ambasadës ruse në Tiranë, së cilës do t’i japim përgjigjen e merituar nesër në gazetën “Koha Jone”, porse paraprakisht na duhet t’i kujtojmë ambasadës në fjalë, se nuk duhet t’i hyjë udhës pa krye të replikojë me gazetën e parë të lirë të Shqipërisë, e cila ka parë shumë fortuna në këto 28 vite lirie. Dhe një gjë të vogël; mos luani rolin e të madhit dhe të fortit si shtet, edhe kur reagoni, pasi liria e fjalës mbetet më e madhe se sa Perandoritë botërore.
Gjithsesi nesër në faqen e parë të “KOHA JONE” do merrni përgjigjen e “porosive” tuaja se si duhet të jetë një media e lirë.