Pas Champions dhe Europa League, një kompeticion i ri nis në vitin 2021

Klubet shqiptare do të kenë më shumë mundësi fitimesh financiare dhe sigurisht kualifikimi në arenën ndërkombëtare, pasi UEFA po bëhet gati të zyrtarizojë një turne të tretë përkrah Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës. Lajmin e ka dhënë presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, pas mbledhjes së shoqatës që bashkon klubet europiane, ECA.

“Në pritje të aprovimit përfundimtar nga Ekzekutivi i UEFA-s, ‘drita e gjelbër’ i është dhënë një kompeticioni të tretë, duke çuar në 96 numrin e përgjithshëm të skuadrave pjesëmarrëse në fazën finale të turneve duke filluar nga sezoni 2021/2022. Një vlerësim i detajuar i kalendarit ndërkombëtar duhet bërë para se të miratohet modeli i ri pas vitit 2024”, shpjegoi Agnelli  në asamblenë e përgjithshme të ECA.

Turneu i ri, për të cilin UEFA kishte kërkuar mendime prej kohësh, pritet t’u japë mundësinë klubeve të vendeve më të vogla që të përfaqësohen në fazën finale të turneve europianë.