Negociatat me Serbinë, Limaj: Jam i gatshëm t’ia dorëzoj opozitës

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, i cili së fundi është propozuar nga Qeveria si kryesues i ekipit negociator në dialogun me Serbinë, ka thënë se është i gatshëm që t’ia dorëzojë opozitës çështjen e dialogut.

Ai në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se deri tani bisedimet i ka zhvilluar Institucioni i presidentit, ndërsa me votimin e ekipit negociator nga Kuvendi, sipas Limajt, Kosova do të ketë adresë të qartë për këtë proces.

Prandaj ai u ka bërë thirrje opozitarëve që të bashkohen në këtë çështje, të cilën ai e quan shumë të rëndësishme për të ardhmen për Kosovën.

Limaj po ashtu ka thënë se Kosova është kundër ndryshimit të kufijve, ndërsa duke folur për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe zëvendëskryeministri ka thënë se nuk do të pranohet një Republikë Serbe brenda Kosovës, pasi sipas tij ky do të ishte shkatërrim për Kosovën.