Kancelarja Merkel thotë “jo”, Thaçi bluan “mullinjtë me erë”!

Tri ditë më parë kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi në Shkup se nuk mund të ketë ndryshim të kufijve në Ballkan, por presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po e përsërit qëndrimin e tij për bashkimin e Luginës me Kosovën. Në anën tjetër, edhe Serbia vazhdon të ketë pretendime mbi veriun e vendit

Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, se në Ballkan nuk mund të ketë ndryshim të kufijve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të theksojë se do të punojë për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, shkruan sot “Zëri”.

Edhe pse një gjë e tillë nuk është e sigurt nëse do të arrihet, kreu i shtetit është zotuar edhe gjatë ditës së djeshme se nuk do të heqë dorë deri në fund mbi këtë kërkesë të shqiptarëve të Luginës, shkruan më tutje “Zëri”.

Megjithëkëtë, monitoruesit e procesit të dialogut me Serbinë vlerësojnë se deklarimet e tilla të kryetarit të Kosovës po bëhen vetëm për konsum, pasi është absurditet të mendohet që Kosova mund t’i marrë tri komuna të Serbisë (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc), pa i dhënë asgjë në këmbim asaj.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se kreu i shtetit është duke luajtur një lojë të rrezikshme me këtë proces, andaj Thaçi duhet të pengohet sa më parë në këtë drejtim.

Deputetët e opozitës me këtë rast kanë paralajmëruar edhe organizimin e protestave në ditët në vijim për ta penguar presidentin në rrugëtimin që ka nisur.