Hapen tenderët 40 milionë euro për tre mbikalime në Unazën e Re

Tre tenderët u hapën të martën në faqen zyrtare të prokurimeve publike APP.gov.al dhe sipas dokumenteve shoqëruese, punimet do të zgjasin për 24 muaj për ndërtimin e tre mbikalimeve me shumë nivele, ku më i madhi pritet të jetë mbikalimi te vendi i njohur si “Shqiponja”. Të tre projektet synojnë lehtësimin e trafikut në këtë segment të Unazës së Madhe si dhe shpejtësinë e daljes dhe hyrjes në Tiranë nga autostrada Tiranë-Durrës. Kjo është gjithashtu edhe një nga segmentet më të shtrenjta rrugore që ka ndërtuar ndonjëherë Shqipëria.

Tenderi i parë ka një fond limit prej 2.25 miliardë lekësh dhe ARRSH thotë se qeveria ka planifikuar kryerjen e këtij shpenzimi në planin buxhetor afatmesëm 2018-2020. Nyja e re që do të ndërtohet do të ketë tre nivele. Një nënkalim do të shtrihet në drejtimin e Rrugës Dritan Hoxha duke shmangur rrethrrotullimin për mjetet që nisen drejt daljes nga Tirana për në autostradë. Një mbikalim do të shërbejë për të lidhur rrugën “Teodor Keko” me segmentin vijues të unazës, i cili do të lidhë “Shqiponjën” me “Bulevardin e Ri” por që është ende në fazë projektimi ndërsa niveli aktual i rrugës do të shërbejë për kthesat. Në dokumentet e tenderit kjo njihet si “Loti 1”.

Loti 2 me një kosto prej rreth 1.6 miliardë lekësh ose 12.5 milionë eurosh, përfshin zgjerimin e nyjes te Ura e Lanës me dy nënkalime për të lidhur rrugët e lagjeve ekzistuese në të dyja krahët e Unazës si dhe një nënkalim tjetër më herët. Ura e Lanës në pikën ku Lana kalon poshtë Unazës së re pritet të zgjerohet në 70 metra.

Loti 3 me një kosto prej afro 1.2 miliardë lekësh synon të bëjë me dy korsi lidhjen e Rrugës së Kavajës me Unazën e Re.

Qeveria shqiptare ka miratuar projekte të përgjithshme me vlerë qindramilionë euro për ndërtim apo përmirësim rrugësh, pasi është përballur me kritika për ngecjen e projekteve kryesore ndërtimore të viteve të fundit, të tilla si autostrada Tiranë-Elbasan, bypass i Fierit apo ai i Vlorës si dhe zvarritje të pafundme të punimeve në segmentet e nisura një dekadë më parë, të tilla si Nyja e Milotit apo segmenti Lin-Pogradec.

Metoda e parapëlqyer e qeverisë për ndërtim rrugësh janë të shumëkritikuarat kontrata koncesionare, në të cilat, paratë paguhen me këste për 13 vite. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka kritikuar në mënyrë të përsëritur këtë praktikë si shumë të kushtueshme dhe një rritje e borxhit publik në mënyrë të fshehtë. Qeveria ka hapur garat apo ka mbyllur kontratat për disa segmente rrugore në të cilat do të shpenzohen rreth 710 milionë euro për të ndërtuar rreth 100 kilometra rrugë.

Nga ana tjetër, Departamenti i Shtetit i SHBA ka kritikuar veçanërisht mënyrën e prokurimit, në të cilën duket se nuk ka garë reale dhe kompanitë e huaja janë të përjashtuara nga procedurat. Kritika ka pasur edhe për fenomenin e inflacionimit të pabesueshëm të kostove të rrugëve. Aktualisht një kilometër autostradë kushton mbi 12 milionë euro ndërsa një rrugë interurbane me dy korsi kushton mbi 4 milionë euro.

Qeveria ka shpenzuar qindra milionë euro gjatë viteve të fundit zyrtarisht për ndërtim rrugësh, por rrugë të ndërtuara nuk ka pasur. Gjatë vitit 2017, fondi për ndërtimin e rrugëve ishte 20 miliardë lekë ndërsa janë ndërtuar gjithsej 10 kilometra rrugë, sipas raportit të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës./Reporter.al.