Grezda kryen stërvitjen e parë me ekipin e Rangers në Skoci

Eros Grezda ka nisur zyrtarisht aventurën me skuadrën e Glasgow Rangers. Sulmuesi i kombëtares sonë sot ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me skuadrën e tij të re. 23-vjeçari, një nga lojtarët e dalluar në përfaqësuesen kuqezi, duket se synon që të kapë një vend titullari edhe në Skoci, ndonëse e ka të qartë që me ekipin e Gerrard nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë.

Mesfushori me tipare sulmuese nga Gjakova, që e ka nisur karrierën në ligën e dytë sllovene dhe më pas në Kroaci me Osijekun, ku për dy sezone ishte një nga më të spikaturit, ka nisur kështu eksperiencën e re në kampionatin skocez.

Këtë fundjavë, Rangers luajnë ndeshjen me Dunde për kampionatin skocez, ndërsa mesjavën e ardhshme, do të ketë përballjen e vlefshme për Ligën e Evropës, me Villarealin. Grezda shpreson që të debutojë sa më shpejt duke qenë se gëzon një formë të mirë sportive, por mbetet të shohim nëse do të arrijë që të tregojë vlerat e tij që në stërvitjet e para.