Gjonaj e Marku takohen me prokurorin e Antimafias italiane

ROME- Forcimi i bashkëpunimit për hetimin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Kjo ka qenë kryefjala e takimit mes Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku dhe kryeprokurorit të Antimafias italiane Federico Cafiero de Raho sot në Romë.

Gjonaj në fjalën e saj theksoi se lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet absolut i qeverisë shqiptare, e cila është angazhuar me të gjitha kapacitet e saj në këtë sfidë. Ajo tha se ngritja e institucioneve të reja si Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi, do të krijojë kushtet e duhura për ndjekjen dhe hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kallëzimeve penale në nivelet e larta të politikës dhe administratës publike.

Nga ana tjetër Gjonaj e siguroi kryeprokurorin Antimafia De Raho, për angazhimin e institucioneve ligjzbatuese shqiptare në thellimin e bashkëpunimit për goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në Itali dhe Shqipëri, përmes skuadrave të përbashkëta hetimore.

Ndërkohë, kryeprokurori i Antimafias italiane teksa falënderoi Gjonajn dhe kryeprokuroren Marku tha se nevojitet një tjetër dimension bashkëpunimi për luftën kundër krimit të organizuar. “Midis dy vendeve tona ekziston një sintoni e plotë në luftën kundër krimit të organizuar, të cilën duhet ta çojmë më tej”, tha ai.