Gati plani, Greqia dhe Maqedonia gati të “skanojnë” historinë

Maqedonia dhe Greqia janë shumë pranë zgjidhjes së mosmarrëveshjes për emrin. Ndërsa, sot të dy vendet kanë njoftuar se do të ngrenë një grup pune ndërdisiplinorë, i cili do të ketë si detyrë të rishikojë shkrimet në histori, materialet arkeologjike dhe problematikat në fushën e arsimit.

Krijimi i tij është parashikuar që në marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë e cila është parashikuar që në takimin mes dy kryeministrave dhe ministrave të jashtëm të këtyre vendeve. Pala greke do të drejtohet nga zëvendësministri i Jashtëm, Markos Bolaris, ndërsa Viktor Gaber, një diplomat karriere, do të kryesojë palën maqedonase.

Siç raporton media greke “Ekathimerini”, ky komisioni do të shqyrtojë nëse është e nevojshme, që të skanohen të gjitha materiale, të cilat mendohet se mund të ketë problematike.

Gjithashtu, theksohet fakti se ky komision do të kalojë në dorë çdo doracak shkollor, libra historie, udhëzime mësimore të përdorura nga të dyja shtetet, në përputhje me rregullat e parashtruara prej Këshillit të Europës dhe të UNESCOS.