Vasili: Çlirimi i vendit nga krimi që ka kapur Kryeministrin, sfidë pa kthim e pa ndalim

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, çlirimi i vendit nga krimi që ka kapur për fyti edhe vetë Kryeministrin Edi Rama, është një sfidë pa kthim dhe pa ndalim.

Deklarata vjen nga kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili i cili përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, shprehet se lufta pa asnjë kompromis me krimin dhe me ata që e përfaqësojnë atë në krye të qeverisë, është vija ndarëse për çdo qytetar, analist e politikan me integritet dhe që e do vendin.

Reagimi i plotë i Petrit Vasilit

Qeveria lakuriq përpara krimit, vë përpara si gjethe fiku drejtësinë e kapur.

Çlirimi i vendit nga krimi, që ka kapur për fyti kryeministrin dhe qeverinë është sfidë pa kthim dhe pa ndalim.

E gjendur lakuriq në ekspozimin ndaj krimit rilindja po vë përpara, për t’u mbrojtur, drejtësinë e kapur si gjethe fiku.

Rilindja tani po përdor gërmadhën e drejtësisë së mbetur për t’u futur në brekushet e saj.

Pasi kapen kryeprokuroren, vetingun, pasi futën si anëtarë të KLGJ dhe KLP lloj e soj personash pa integritet, të refuzuar edhe nga ONM, pasi shkatërruan Kushtetutën e 21-22 korrikut, pasi shkrinë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, pasi lanë vendin pa KLGJ dhe KLP, rilindja dhe të sajët menduan se ja hodhën.

Lufta pa asnjë kompromis me krimin dhe me ata që e përfaqësojnë atë në krye të qeverisë, është vija ndarëse për çdo qytetar, analist e politikan me integritet dhe që e do vendin.

Kushdo që do të rrekej të bënte alibinë e krimit për shkak të mëditjes erëkeqe të qeverisë do të ishte as më shumë dhe as më pak, se sa një më shumë pas gjethes së fikut të qeverisë.