Skoci-Shqipëri, konfirmohen surprizat në formacionin zyrtar të ndeshjes

Kombëtarja shqiptare do të luajë pas pak minutash ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve në transfertën e vështirë ndaj Skocisë. Panucci surprizon sërish me zgjedhjet e tij dhe ndryshe nga sa të gjithë prisnin, nuk do të jetë një Shqipëri me 5-3-2 por me modulin 4-1-4-1 kundër Skocisë.

Strakosha pas paraqitjes fantastike në duelin e parë, mbetet në portë, ndërkohë që në mbrojtje do t’i besohet Veselit dhe Gjimshitit në qendër me Elseid Hysajn dhe Egzon Binakun nga krahët, ndërkohë që fiton një vend për anti-Skocinë që nga minuta e parë Sabien Lilaj, që do të jetë i rreshtuar para mbrojtjes, duke lënë në stol Migjen Bashën, me Xhakën dhe Memushajn që do të jenë para tij.

Surpriza dhe në krahët e mesfushës, ku emri i ri në formacion është Emanuele Ndoji, me Panuccin që ka vendosur ti japë besim të riut të Brescias, ndërsa Gavazaj e starton rregullisht në krahun e djathtë.

Në majë të sulmit, Bekim Balaj, që këtë herë e nis titullar me Sindrit Gurin në stol. Është ky formacioni që do të zbresë në fushë këtë mbrëmje në Hampden Park, aty ku pritet të jenë edhe rreth 1000 tifozë shqiptarë në mbështetje të kombëtares kuqezi.