Shqipëria luan sonte në stadiumin e frikshëm që mban rekordin e zhurmës

“Hampden Park” është stadiumi ku do të zhvillohet mbrëmjen e kësaj të hëne ndeshja mes Skocisë dhe Shqipërisë. I përuruar në vitin 1903, ky stadium për 50 vite me radhë ka qenë më i madhi në botë.

Në ndeshjet “derbi” dhe në ndeshjet e Skocisë, ai thuajse ka tejkaluar gjithmonë kapacitetin e tij prej 52 mijë vendesh dhe ka mbajtur deri në 150 mijë shikues. Një kuriozitet shumë i veçantë është se në këtë stadium është regjistruar zhurma më e fortë e shkaktuar nga tifozët, rreth 150 decibel.

Atmosfera që krijohet aty nga tifozeria, shpesh e ka shndërruar “Hampden Park”-un si një prej stadiumeve më të frikshme për kundërshtarët, megjithatë, për fatin tonë ndoshta, mbrëmjen e sotme janë shitur rreth 20 mijë bileta. Mes tyre, 1.000 mendohet të jenë shqiptarë të mbërritur në Skoci për të mbështetur kuqezinjtë.