Thaçi po bëhet gati për vizitë në Luginën e Preshevës

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, ka deklaruar sot se në qeverinë e Serbisë nuk ka ardhur asnjë paralajmërim për vizitën e shpejtë të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Preshevë. Ai së pari duhet t’i drejtohet qeverisë serbe-tha ajo.

Por nën rrogoz po negociohet që Presidenti Thaçi të shkojë në Luginën e Preshevës (Serbi), ndaj ai ka thirrur sot në presidencë pjestarë të lidershipit të Luginës.

“Nuk kemi asnjë paralajmërim. Së pari duhet t’i drejtohet qeverisë së Serbisë. Së pari do të shohim se çfarë do t’i thotë qeverisë së Serbisë, dhe më pas do të vendosim”, ka thënë Bërnabiq, transmeton Insajderi.com. Ajo ka shtuar se “Serbia është vend i cili mund të sigurojë çfarëdo vizite sepse është stabile dhe ka sovranitet”.

Duke komentuar incidentet të cilat e kanë përcjellë vizitën e Vuçiqit në Kosovë, ajo pretendon se “edhe një herë është konfirmuar deklarata e saj e mëhershme se liderët momental të shqiptarëve të Kosovës janë të paparashikueshëm dhe se nuk i respektojnë marrëveshjet”.

“Për fat të keq ata janë politikanë të luftës, nuk janë politikanë të paqes, por ne do të punojmë sipas porosive të paqes, të cilat i ka dhënë presidenti ynë Aleksandar Vuçiq”, ka deklaruar Bërnabiq.

Edhe Presidenti Thaçi dje në një deklaratë, dënoi bllokimin e rrugës për në Drenicë nga ana e kosovarëve, por vendimi erdhi pas bllokimit nga qytetarët si dhe urdherit të kryeministrit Haradinaj. Siç duket Thaçi po luan kartën e tij të rishikimit të kufirit, ndonëse dje presidenti serb Vuçiç tha se nuk do te ketë ndryshim të asnjë kufiri me Kosovën, bile shtoi se Serbia nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Hashim Thaçi është në lojën e tij presidenciale, pasi synon jo vetëm të shpëtojë nga gjykata speciale, por edhe të ndryshojë Kushtetutën që presidenti të zgjidhet nga populli. Dhe të kandidojë në popull e jo si sot që zgjidhet nga parlamenti. Në këtë plan personal ai po llogarit votat popullore dhe nëse arrin të marrë Luginën (gjë që duket e vogël si mundësi), ai me votat e Luginës dhe PDK, fiton si president me vota popullore.

Kalkulimet e tij personale janë përfekte, por Luginën e Preshevës nuk e merr dot pa falur liqenin e Ujmanit dhe veriun e Mitrovicës. Kështu që komplikohet skema e tij personale.

Gjithsesi Hashim Thaçi po përgatitet për të vizituar Luginën me leje e Vuçiç.

Loja vazhdon!