Opozita braktis “Ligjet”, Manja: Duhet të ishin këtu, ja axhenda për sesionin e ri

Komisioni i Ligjeve ka zhvilluar paraditen e sotme mbledhjen e parë për sesionin e ri parlamentar, ndërsa opozita e ka bojkotuar, ashtu sikur ka bërë me dy seancat e para të Kuvendit. Kryetari i Komisionit, Manja u shpreh se opozita duhet të ishte në komision, pavarësisht axhendës politike, pasi në rend janë shumë projektligje me rëndësi që do të trajtohen.

“Do jetë një sesion i ngjeshur parlamentar. Kemi shume projektligje të rëndësishme. Mes tyre paketa me 27 ligjet e dyta të reformës në drejtësi. Ndryshime në kodin penal. Komisioni do vazhdojë rolin e tij kontrollues dhe nuk do ngelet jashtë vëmendjes funksioni zgjedhës që ka komisioni. Deputetë të opozitës pavarësisht axhendës së tyre politike, do të duhet të ishin të pranishëm në këtë mbledhje të parë të komisionit për këtë sesion të ri parlamentar. Ftoj deputetet e opozitës të japin kontributin e tyre”, shprehet Manja.

Opozita bojkoti dy seancat e para të këtij sesioni parlamentar, po ashtu edhe komisionet, ndërsa ka paralajmëruar se marrëdhënia do të jetë e kushtëzuar në vijim.