Manastirliu: Inspektime në çdo institucion arsimor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrja e Arsimit inspektojnë shkollat e Fierit. Manastirliu: 1094 inspektime në terren, 1 javë kohë për plotësimin e detyrave të lëna nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor

Fier, 10 Shtator/ Inspektime masive kanë nisur në shkallë vendi në të gjitha institucionet arsimore për plotësimin e kushteve higjieno-sanitare në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla inspektuan sot shkollën 9-vjeçare “Dine Ismaili” në Levan dhe shkollën e mesme “Janaq Kilica” në Fier për të parë nga afër kontrollet e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor për respektimin e kushteve higjieno-sanitare.

“Për ti paraprirë fillimit të vitit të ri shkollor, nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor janë kryer 1094 inspektime, 119 prejt të cilave vetëm në Fier, në institucione arsimore publike dhe jo publike parashkollore dhe shkollore, për plotësimin e kushteve higjieno-sanirare në mënyrë që të garantohet mbarevajtja e duhur e vitit të ri shkollor që nis pas pak ditësh”, tha Manastirliu.

Pas detyrave të lëna 2 muaj më parë nga inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, inspektorët janë rikthyer me verifikimet në terren për të garantuar respektimin e kushteve higjieno-sanitare në shkolla.

Manastirliu u shpreh se do riverifikohen të gjitha institucionet arsimore nëse i kanë plotësuar detyrat e lëna nga Inspektoriati, në mënyrë që shkollat të jenë gati me kushtet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.