Hyn në fuqi nisma për arsimin – “3 lëndë në 6 orë” në të gjitha shkollat

Pas pilotimit, hyn në fuqi vendimi për zbatimin e nismës së re për arsimin bazë në gjithë vendin, “tre lëndë në 6 orë”.

Tashmë nxënësit do të mësojnë sipas një programi ndryshe nga vitet e kaluara ku një lëndë pritet të zhvillohet në dy orë mësimi njëra pas tjetrës me nga 45 minuta secila. Kjo nismë u bë objekt debati gjatë këtij viti, ku nuk munguan as skeptikët të cilët hodhën poshtë pretendimin se mund të lehtësoj nxënësit nga ana mësimore por edhe fizike.

Televizioni SCAN ju drejtua një prej shkollave që kanë aplikuar nismën për të mësuar më shumë se si është implementuar dhe cili ka qenë rezultati. Sipas Drejtoreshës së shkollës 9 vjeçare Misto Mame, Arjana Maçi, nisma i ka përmbushur pritshmëritë, shkolla që ajo drejton është gati për ta zhvilluar mësimin sipas këtij programi.

Po a do të ndihmojë ky program në uljen e kostove për familjet të cilat regjistrojnë fëmijët në kurse private për mësime shtesë në ëndë të ndryshme mësimore?

Më herët zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahini,  deklaroi për televizionin SCAN se ishin vet prindërit së bashku me disa mësues të cilët propozuan një nismë të tillë për të lehtësuar fëmijët nga pesha së çantave, që rrezikonin shëndetin e tyre dhe kjo u mirëprit nga ministria e Arsimit për ti dhënë fund një shqetësimi të hershëm të prindërve.