Drenica ndal Vuçiçin/ Me simbole kombëtare e logo të UCK, çfarë nuk patë nga protesta e djeshme (FOTO)

Në Drenicë, aty ku serbët u përballën me Jasharajt 16 vite më parë, banorët kanë ndaluar hyrjen e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç një ditë më parë. Ai kishte planifikuar një vizitë në fshatin Banjë të komunës së Skënderajt, por të gjitha rrugët që e çonin atje ishin bllokuar me mënyra të ndryshme. Goma të djegura, mjete të parkuara dhe grumbullime njerëzish që nuk harrojnë edhe pas kaq vitesh!

Me fotot e të zhdukurve në luftë dhe pyetjet ku janë 1648 bijë të Kosovës ata kanë mbushur rrugët për të ndalur hyrjen e njeriut që drejton Serbinë dhe që ende nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës.

Momente gjatë protestës

Të mbledhur në rrugë Mitrovicë -Skenderaj, konkretisht në fshatrat Vojtesh dhe Runik, veteranë të UÇK dhe qytetarë kanë bllokuar rrugën kryesore. Ata mbanin veshur uniforma ushtarake, bluza e qeleshe me logon e UCK-së. Të tjerë valëvisnin flamujt kuq e zi.

Disa prej momenteve të protestës i ka regjistruar fotografi Sefer Aliqkaj dhe i ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook.