Albian Ajeti: Asnjëherë te Shqipëria, që i vogël kam dashur Zvicrën

Albian Ajeti edhe pse ka vëllanë më të madh që luan për Shqipërinë, dhe ka marrë pasaportën shqiptare që nga viti 2015, sërish kjo nuk mjaftoi që ai të vishte fanellën kuqezi. Goli në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, ka bërë që sulmuesi me origjinë shqiptare të deklarojë pa kurrfarë emocioni që as nuk e kishte menduar ndonjëherë që të luante me fanellën kuqezi.

“Për mua Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë temë diskutimi. Unë kam dashur gjithmonë të luaja për ekipin kombëtar të Zvicrës, edhe në vitin 2011”, shpjegon ai.

Kjo “dashuri” iu përforcua më shumë kur ishte futbollist në akademinë e Bazelit dhe në ndeshjet e përfaqësueses që luheshin në “St. Jakob Park”, ai ishte mes fëmijëve që mblidhnin topin. Atij i kujtohet sidomos fitorja e Zvicrës ndaj Bullgarisë, ku Shaqiri shënoi 3 gola.

“Unë isha ai që mblidhte topin pas pankinës dhe e dija: një ditë do të jem edhe unë fushë”, tregoi Ajeti.