Ylli Manjani: Duhet urgjent ndërhyrje në Kushtetutë…

Shqipëria aktualisht nuk ka as Gjykatë të Lartë dhe as Gjykatë Kushtetese, që do të thotë se sot shqiptarët nuk kanë ku të ankohen.

Në lidhje me këtë situatë ka ardhur edhe një reagim i ish-ministrit Ylli Manjani.

Ky i fundit vjen me propozime se si mund të dilet nga kjo situatë e keqe ku ndodhet vendi.

Ja çfarë shkruan Ylli Manjani në Facebook:

Propozimi im.
Shteti është në kolaps. Pushteti në zenit. Politika thjesht prodhon llafe.
Mendoj se fokusi është ndërtimi i shtetit.
Çdo gjë që:
1. Shkëput strukturën e Vetting nga qeveria dhe faktorë të tjerë politikë;
2. Ndihmon realisht në pastrimin e drejtësisë nga të paaftët, hileqarët dhe të poshtrit;
3. Ndihmon për të ngritur sa më parë Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, me gjykatës të mirë dhe profesionistë;
4. Pavarëson nga qeveria dhe politika, Prokurorinë dhe hetimin penal;
5. Ndihmon për të ngritur sa më parë KLGJ, KLP dhe SPAK me emra e cv dinjitoze dhe jo me mbështetje politike;
Pra, çdo gjë që ndihmon në hartimin e një kalendari të ri veprimesh për ndërtimin e sistemit të PAVARUR të drejtësisë, ka patur dhe do ketë mbështetjen dhe kontributin tim modest!
Zgjidhje teknike ka plot.
Duhet thjesht vullnet për:
1. Ndërhyrë në Kushtetutë (në nenet tranzitore )
2. Rishikuar të gjitha ligjet e reja jo konsensuale;
3. Pastruar strukturat e reja nga emra politikë, vulnerabël ndaj politikës dhe te zgjedhur kundër ligjit;
4. Kthyer vettingu në shtratin e gjykimit sipas provave dhe ligjit e jo hamendjeve dhe gjykimit popullor, aq më keq vendimmarrjes politike!!!
Paralelisht duhet po i njëjti vullnet për të ndërtuar një sistem zgjedhor Të NDERSHËM dhe PËRFAQËSUES.
Ja, kaq duhet si për fillim!
Të tjerat vijnë vetë…