Skandal diplomatik. Vuçiç po flet si president i Kosovës, mu në Kosovë!

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç hyri dje në Kosovë në një vizitë zyrtare dy ditore. Ndonëse qeveria e Kosovës ia kishte ndaluar vizitën në disa vende provokuese, përsëri BE ndërhyri fort dhe bëri presion mbi Prishtinën. Autoritetet kosovare u dorëzuan dhe presidenti serb Vuçiç hyri si triumfator në Kosovë. Ndërkohë miku i tij Presidenti Hashim Thaçi ndjek live hap pas hapi çdo lëvizje të kreut të shtetit serb, me të cilin janë në marrëveshje sekrete, duke e pështjelluar Ballkanin si dhe duke trembur Europën nga rishikimi i kufijve. Si rregull vizita e tij duhej të fillonte në kryeqytet duke takuar presidentin dhe kryeministrin. Dhe më pas axhendën e tij. Por presidenti serb e nisi vizitën pikërisht nga Liqeni i Ujmanit, si për tju thënë kosovarëve se ky liqen është pjesë e marrëveshjës me Thaçin, pasi media dhe politika ka akuzuar Thaçin se në këmbim të Luginës së Preshevës, Vuçiç kërkon liqenin e Ujmanit dhe veriun e Mitrovicës. Vuçiç buzë liqenit jetik të Kosovës tha se” “Gazivoda (liqeni Ujmanit) është  e rëndësishme edhe për serbët, edhe për shqiptarët. Mendoj se këtu në mënyrën më të mirë shihet pesha e problemit që e kemi dhe qëndrimet e ndryshme që i kemi për Gazivodën dhe luftën e vështirë politike  që e kemi pasur dhe që shpresoj që do ta tejkalojmë ne dhe shqiptarët në 100 vitet e ardhshme në mënyrë që të jemi të kënaqur edhe ata me shfrytëzimin e ujit sepse pjesa më e madhe e  Metohisë furnizohet nga këtu dhe natyrisht Obiliqi dhe Prishtina veçmas në muajt e verës. Për ne Gazivoda është e rëndësishme, pa të serbët nuk mund të jetojnë këtu”, ka thënë ai.

Pra e tha se “pa të, serbët nuk mund të jetojnë këtu”, e përkthyer në gjuhën diplomatike se ky do jetë i yni, pas marrëveshjes me Thaçin. I mënjëhershëm vjen reagimi i zv/kryeministrit kosovar Enver Hoxhaj. Ministri tha se “Qëndroj fuqishëm kundër vizitës së Vucicit në Gazivodë, sepse kjo është simbol i shpërndarjes së urrejtjes”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter. Hoxhaj përsëriti qëndrimin e tij se vizita e Vucicit në Gazivodë është përsëritje e Milloshevicit në 1989, dhe në të njëjtën kohë është imazh i turpit dhe shovinizmit të Serbisë ndaj Kosovës. Hoxhaj tha se kjo është edhe dëshmi se edhe vetë Evropa po promovon politika anti-Evropiane në Ballkan, duke u bërë presion institucioneve të Kosovës për të lejuar agjenda të tilla.

Por kështu ka reaguar edhe lideri i LDK në Kosovë, Isa Mustafa që ka shkruar: “Është e papranueshme që një president i një vendi fqinj të flet për resurset tona natyrore si të ishin të tijat dhe për tokën tonë si tokë të tij. Sa është e papranueshme që Presidenti ynë në mënyrë jo-kushtetuese, i kurthuar në grackat serbe dhe të atyre që ishin kundër pavarësisë së Kosovës, të shpreh pretendialsekanderme territoriale ndaj një vendi fqinj, sepse këtu gjen hapësirë sjellja e papranueshme dhe hegjemoniste e Vuçiqit”, ka theksuar Mustafa. “Kosova ka territorin e saj, mbi të cilin e ka shpallur pavarësinë dhe ky territor nuk është i negocueshëm me askënd për aq sa nuk është e negocueshme pavarësia e Kosovës”, tha ai.

Edhe ish-kryeparlamentari Krasniqi e quan provokuese vizitën nga liqeni i Ujmanit. Krasniqi tha dje se “Prandaj kjo nuk është vizitë, por është hapi i parë për t’ia rrëmbyer Kosovës një hapësirë më vitale të saj?! Kjo ardhje është më e rrezikshme sesa treni nacionalist i para pak viteve dhe i cili që penguar të hynte në Kosovë. Pse sot u veprua ndryshe? Apo janë duke u realizuar dëshirat e Presidentit tonë, për ndryshimin e kufijve të Republikës sonë?! Tani, kur Presidenti ynë do ta vizitoj hapësirën e Kosovës Lindore që do t’i bashkohet Kosovës?”, thotë Krasniqi.

Po kështu kryeministri Haradinaj u përgjigj ashpër kur tha se nuk ka asnjë ndryshim kufiri mes Kosovës dhe Serbisë.

Vetëm presidenti Kosovar Hashim Thaçi nuk foli dje asnjë fjalë kundër Vuçiç, i cili provokoi që në nisje të vizitës në shtetin e Kosovës, kur vizitoi liqenin e Ujmanit, pikërisht atë liqen që flitet se do ta marrë Serbia.

Vetëm kosovarët e prekur nga vizita e tij provokuese kanë dalë dhe i kanë bllokuar udhën për Mitrovicë. Në Drenicasit kanë bllokuar me drunj e kamion rrugën Skenderaj – Mitrovicë.

S.P.