Çfarë kemi keqkuptuar gjithë kohës për dashurinë?

Gjithmonë dashuria trajtohet si një folje, si një folje aktive. Nëse ajo konsiderohet e tillë, të shërbyerit është veprimi i saj. Veprimet e aktivizojnë atë, ndaj dhe unë preferoj veprimet si pjesë dëshmuese e dashurisë së vërtetë. Kur dikush do dikë, i shërben atij personi. Kjo është mënyra se si vepron dashuria.

Ndërkohë, në ditët e sotme, gjithçka ka ndryshuar rrënjësisht. Ne u shprehim dashuri edhe atyre që nuk i duam në të vërtetë, u shprehim dashuri edhe atyre, nga të cilët duam të përfitojmë diçka. Kjo është gjëja më e gabuar. Vërtet që dashuria duhet të mbizotërojë në këtë botë, por kurrsesi nuk duhet përdorur për qëllime përfitimi. Një gjë e tillë është përulja më e madhe që mund t’i bëhet diçkaje kaq të shenjtë sa dashuria.

Ne jetojmë në një kohë, kur shumë prej nesh nuk e duan mjaftueshëm veten e tyre, por sërish falin dashuri, duke mos e kuptuar se duke mos dashur veten, dashuria që dhurojnë as që mund të quhet dashuri. Duhet të duam veten, të kuptojmë se kemi mjaftueshëm vlera, dhe më pas të dhurojmë dashuri duke shpresuar gjithmonë se do të marrim dashuri mbrapsht, pasi jemi duke folur për një ndjenjë që kërkon të shkëmbehet, jo vetëm të jepet pa marrë asgjë në këmbim.

Kupto se është diçka shumë e kotë, nëse i thua “Të dua” dikujt në momentet kur nuk ndjen dashuri për të. Lëre mënjanë çfarë ndodh në rrjetet sociale. Për disa komente më shumë, disa persona mund të japin gjithçka që kanë. Është e gjitha një falsitet i madh dhe ti nuk ke pse të biesh pre e diçkaje të tillë. Thuaj “Të dua” në momentet që e ndjen dhe mos u shty nga çfarë është “në modë” për ta praktikuar edhe ti.

Së pari, mos harro të duash veten. Kur ta duash veten mjaftueshëm, do ta ndjesh edhe vetë se sa energji do të kesh përbrenda për ta ndarë me të tjerët. Ai është momenti kur ti realisht do të mund të shpërndash dashuri tek njerëzit që do. Por gjithmonë, mos harro të dhurosh për aq sa merr. Dashuria duhet të jetë reciproke. Nuk ke pse fal me tepricë dhe merr me pakicë, pasi kështu gjithçka bie ndesh me dashurinë që ndjen për veten tënde. Nëse e do veten tënde mjaftueshëm, nuk ke për të pranuar asgjë që shkon në kundërshtim me këtë dashuri, as një dashuri të kthyer mbrapsht jo në mënyrën dhe sasinë që ti transmeton…