ARRSH fillon punimet në dy akse nacionale

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) fillon ditën e hënë punimet për rehabilitimin e dy segmenteve, Shkodër-Murriqan dhe Lezhë-Shëngjin.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor bëjnë të ditur, se duke nisur nga dita e Hënë (datë 10 Shtator 2018), në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore do të fillojnë punimet për rehabilitimin e dy segmenteve tjera rrugore, përkatësisht atë Shkodër-Murriqan dhe Lezhë-Shëngjin.

Ndërhyrja rehabilituese në aksin Shkodër (Ura e Bunës) – Murriqan, parashikon prishjen e shtresave ekzistuese asfaltike, zëvendësimin e nënshtresave në çakëll dhe stabilizant, realizimin e të gjithë shtresave të reja asfaltike në gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosja e sinjalistikës rrugore e masave të sigurisë rrugore.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor. Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Ndërhyrja për stabilizimin e skarpatës në Lezhë-Shëngjin (Knallë), parashikon instalimin e barrierave mbrojtëse ndaj rënies së gurëve.

Gjatë ditës së Hënë do të bllokohet dhe devijohet trafiku në rrugën nacionale Lezhë – Shëngjin ne të dy sensent e lëvizjes në vendin e quajtur Knallë ku edhe do te kryhet ndërhyrja. ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor u kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:

Lëvizja e te gjitha mjeteve në drejtim me destinacion Shëngjinin të devijohet majtas në Knallë në askin rrugor Knallë – Kunë.

Gjithashtu drejtuesit e mjeteve ne drejtimin nga Shëngjini në Lezhë duhet të devijohen djathtas në askin rrugor Knallë – Kunë.

Punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqendruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.