Zvicra luan “tenis” ndaj Islandës, tre shqiptarë shënojnë për helvetët (VIDEO)

Zvicra e ka nisur me një goleadë spektakolare aventurën në Ligën e Kombeve në Grupin 2, të Ligës A. Skuadra e Petkovic ka shkatërruar 6-0 Islandën  në ndeshjen e par të luajtur në stadiumin “Kybunpark”. Helvetët e nisën duelin për herë të parë me kapiten Granit Xhakën, i cili i solli fat skuadrës së tij, duke lënë pas polemikat për festimin me shqiponjë në Kupën e Botës. Në minutën e 13-të, vendasit do të gjenin menjëherë rrugën e rrjetës, teksa Zuber shënoi një gol fantastik me një goditje mjaft të bukur me të majtën, e cila përfundoi në cepin e portës.

Islandezët u tronditën nga ky gol, teksa pas 10 minutash pësuan edhe të dytin. Shaqiri tentoi nga një goditje dënimi, që u ndal nga portieri Halldorsson, dhe pas një rrëmuje shkoi te Zakaria që e kishte të thjeshtë për ta shtyrë në rrjetë. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, ndërkohë që në të dytën helvetët nuk do të ndaleshin. Shaqiri shënoi një gol spektakolare nga një goditje dënimi në një pozicion shumë të vështirë në minutën e 53-të, duke ngritur peshë tifozët vendas. Zvicra luan bukur dhe në minutën e 67-të do të shënonte edhe golin e katërt.

Schar dhuron një pasim të bukur me thembër për Seferovic, i cili në hyrje të zonës e çon topin në rrjetë. Mbrëmja për shqiptarët nuk kishte përfunduar këtu pasi Albion Ajetit i mjaftuan vetëm 5 minuta në fushë për të gjetur golin. Në minutën e 71-të, sulmuesi me origjinë shqiptare devijoi në rrjetë një pasim të Seferovic nga krahu i djathtë. 8 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Mehmedi shënoi golin e 6-të për Zvicrën, që i bëri një nisje fantastike këtij eventi të ri, teksa kujtojmë që në grupin e tyre është edhe Belgjika. /Koha Jonë/