Vuçiç viziton Kosovën dhe liqenin e Gazivodës

Nga DW:

Presioni i BE-së bëri që Prishtina zyrtare t’ia lejojë vizitën në Gazivodë Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili qëndron në Kosovë këtë shtunën dhe të dielën. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, viziton Kosovën megjithë paralajmërimet që ai mund të mos e realizojë këtë vizitë për shkak që autoritetet e Prishtinës nuk ia kishin miratuar fillimisht të gjithë itinerarin e vizitës së paralajmëruar në Kosovë. Prishtina zyrtare e kishte lejuar Vuçiçin që të qëndrojë në Kosovë, por jo edhe ta vizitojë Liqenin e Gazovodës, bisedimet rreth të cilit janë të nxehta se kujt i takon ky liqen që ka një rëndësi të veçantë.

“Do të shkojë në Kosovë dhe do ta fillojë vizitën në liqenin e Gazivodës dhe në qendrën ekologjike atje. Pres që gjithçka të kalojë mirë dhe pres që atje në mënyrën më normale t’iu drejtohem njerëzve dhe t’u tregoj se sa është i rëndësishëm liqeni i Gazivodës, jo vetëm për serbët, por edhe për shqiptarët në Kosovë”, tha Aleksandër Vuçiç.

Pak para kësaj deklarate, diku rreth mesnatës, ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Behxhet Pacolli, konfirmoi se Prishtina zyrtare ia ka lejuar Presidentit Vuçiç që ta vizitojë Gazivodën. “Po i është lejuar vizita. Vendimi është marrë para gjysmë ore. Kemi pasur presion nga Bashkimi Evropian dhe aleatët, nuk kemi pasur zgjidhje tjetër”, tha Behxhet Pacolli.

Kosovo- serbische Grenze - Gazivoda See (Wikipedia/Bobik)Gazivodë

Masa sigurie

Aleksandër Vuçiç, nga mëngjesi i së shtunës deri të dielën pasdite qëndron në disa lokalitete në veri të Kosovës. Për sigurinë e tij do të kujdesët policia e Kosovës me një plan të posaçëm operativ, për shkak të sigurisë së tij. Serbët në veri të Kosovës kanë mbushur rrugët me flamujt e Serbisë dhe pankarta duke i uruar mirëseardhje Presidentit të Serbisë. Aleksandër Vuçiç, tha se “gjatë kësaj vizite në Kosovë (në një tubim në veri të Mitrovicës) do ta mbajë fjalimin më të rëndësishëm në jetën e tij për t’u shpjeguar qytetarëve serbë procesin e bisedimeve dhe çfarë mund të përfitojnë ata dhe Serbia”. Megjithatë sipas tij, “Serbia ka mundësi të kufizuara në Kosovë”.

Vizita në Kosovë e Presidentit të Serbisë, ndodh vetëm një ditë pas dështimit të takimit të Brukselit, ku Aleksandër Vuçiç dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takuan ndaras shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogherini, por, ata dy, nuk u takuan së bashku, ashtu si vepronin herave tjera. Vuçiç tha se kësaj radhe nuk është takuar me Thaçin për shkak të qasjes së Prishtinës ndaj procesit. Për më shumë ai tha se “gjatë tre ditëve të fundit kishte pasur shumë presion mbi deputetët e Listës “Srpska”, që të votojnë për shef të delegacionit negociues Kosovës me Serbinë, zëvëndëskryeministrin e Kosovës Fatmir Limajn”. Këtë të fundit Serbia e akuzon për krime lufte, ndonëse në një proces të gjatë në Tribunalin e Hagës, Limaj është shpallur i pafajshëm.

Nord Mitrovica Kosovo - Stadtimpressionen vor dem Besuch von Vucic in Mitrovica (DW/E. Elezi)Para vizitës – Mitrovica e Veriut

Reagimet opozitare

Partitë opozitare në Kosovë dështimin e takimit ne Bruksel ndërmjet Vuçiçit e Thaçit e cilësuan si një lloj fitore të tyre për shkak të kundërshtimit që po i bëjnë ata Presidentit që mos ta diskutojë në Bruksel cështjen e kufijve të Kosovës. Partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se arsyeja kryesore e dështimit të takimi Thaçi-Vuçiç, ka të bëjë me zhvillimet politike brenda Kuvendit të Kosovës. “Presioni i opozitës për miratimin e Rezolutës, përmes së cilës do të ndalej procesi i pazareve me kufijtë e Republikës së Kosovës, ka dërguar sinjal në Bruksel se Z.Thaçi nuk mund të bisedojë për këtë temë. LDK do të vazhdojë fuqishëm ta kundërshtoj këtë formë të dialogut, ku Presidenti pa mandat nga Kuvendi i Kosovës t’i prijë këtij procesi, si dhe të ndalojë secilin institucion që hyn në aventura ku mund të cenohet territori, integriteti dhe sovraniteti i vendit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Megjithë zhvillimet e së premtes në Bruksel dhe debatet e ashpra Brenda skenës politike kosovare, të dy Presidentët ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi, thanë se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Edhe zyrtarë nga zyra e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, thanë se një takim i mundshëm i radhës Thaçi-Vuçiv mund të organizohet pas dy javësh në Bruksel./dw/

Vizita e Vuçiç

Në fjalimin e tij te Liqeni i Gazivodës i cili sipas tij është i rëndësishëm për serbët dhe shqiptarët, Aleksander Vuçiq ka thënë se idetë e tij për Kosovën po pengohen nga Kancelarja Angela Merkel.

“Nuk besoj se kemi mundësi t’i zbatojmë idetë e mia për Kosovën. Keni dëgjuar cka ka thënë Merkel, cka thonë shqiptarët”-ka thënë Vuçiq. Vucic ka thënë se nuk mund t’ia ndryshojë qëndrimin e Merkelit për të mos ndryshuar kufijtë ndërkaq ka thënë se disa kësaj ideje i janë gëzuar.

“Fuqia ime në krahasim me Merkel është minimale. Ajo është liderja më e madhe europiane. Nëse ajo thotë ashtu, se kundershton idenë e ndryshimit të kufirit, ne këtë nuk mund ta ndryshojmë. E disa për këtë janë gëzuar”, ka shtuar ai.

Shefi i shtetit serb nuk ka komentuar se cilat janë planet e tij, por sigurisht fjala është që Veriu i Kosovës t’i takojë Serbisë. Këto komente Vuçiq i ka bërë pas pyetjeve për qëndrimet e Angela  Merkel në Shkup ku ka folur kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.

Vuçiq do të qëndrojë për dy ditë në Kosovë, e gjatë ditës së sotme pritet që ta vizitojë Liqenin e Ujmanit. Aleksander Vucic është Presidenti i parë i Serbisë që ka nisur të pranojë se Kosova është humbur. Vucic vjen në Kosovë në kuadër të një vizite të paralajmëruar për të treguar qëndrimin e Serbisë lidhur me Marrëveshjen Finale me Kosovën.
Presidenti serb gjatë kohës së luftës ka qenë Ministër për Informim në Qeverinë e diktatorit Sllobodan Milloshevic, i cili kishte vrarë mijëra shqiptarë të Kosovës dhe kishte dëbuar një milion gra, pleq e fëmijë nga Kosova.

Vucic mbahet mend edhe për një deklaratë gjatë luftës në Bosnje kur kishte thënë se për një serb të vrarë do të vriten 100 boshnjak.