Vuçiç në Kosovë, Haradinaj: Do mposhtim çdo përpjekje që kërcënon territorin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë një postim në faqen e tij në Facebook, pas vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Kosovë, e ku thotë se çdo “përpjekje për të kërcënuar” tërësinë territoriale dhe shtetin ligjor të Kosovës do të mposhtet.

“Kosova është shtet mikpritës që beson në lirinë e shprehjes dhe vlerat demokratike. Por në anën tjetër, Kosova dhe populli i saj respekton edhe shtetin ligjor në tërësinë territoriale të tij, dhe nderon institucionet e saja. Këto janë parime të palëkundura që Kosova gjithmonë do t’i nderojë, respektojë, e mbrojë. Si Kryeministër i vendit, ju siguroj që do të mposhtet çdo përpjekje për të kërcënuar këto parime fundamentale për të cilat populli ynë sakrifikoi shumë”, ka shkruar kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj.