Reforma zgjedhore, ish-Kreu i KQZ: PS e ka në dorë, opozita është larguar nga misioni

Ish-kryetari i KQZ, Kristaq Kume tha se reformën zgjedhore e ka në dorë vetëm mazhoranca. I ftuar në studion e lajmeve të Ora News, Kume shprehu shqetësimin se opozita është larguar nga ky mision.

Kristaq Kume: Fakti që ne kemi një parti që është mazhorancë dhe i ka të gjitha në dorën e vet ka bërë, ose efekti më negativ i saj nuk është sjellja e kësaj ndaj dhe si ajo e pushtetit që ka marrë, por sjellja e opozitës që pothuajse është larguar nga misioni. Ky largim i opozitës mbase kërkon një analizë të thellë për ta gjetur ku janë shkaqet. Por mes të tjerave unë shof si faktor që ka ndikuar, faktin që kemi vetëm një parti, e cila e ka në dorë nga A-ja deri tek Zh-ja gjithcka në dorë për ta bërë sic do ajo.

Sipas Kumes, aplikimi i sistemit Prim do t’i jepte fuqi vetëm dy partive të mëdha, ndërsa partia e tretë dhe forcat e tjera të vogla do të penalizohen.

Kristaq Kume: Deri tani në tavlinë nuk është hedhur dhe nuk është pranuar diskutimi i sistemit. Ndofta, nëse do kërkohet që ndryshimi që mund të bëhet në sistem të jetë më penalizues sesa është ky sot për partitë e vogla, nëse futim Prim-in psh., partitë e vogla penalizohen totalisht. Biles penalizohet edhe partia e tretë, jo më partite e tjera të vogla.  Unë nuk jam për atë që ti japim fuqi të madhe vetëm një subjekti politik, të paktën këtë po tregonte edhe sot ajo që ka ndodhur praktikisht. 

Kume renditi edhe pritshmëritë nga reforma zgjedhore.

Kristaq Kume: Ajo që unë pres është rregullimi i mundshëm i atyre pjesëve të kodit zgjedhor që janë konsideruar si më problematike në përpjekje për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR. Pres të ketë rregullime të dukshme sa i përket financimit të partive politike. Po ashtu në kuadër të kësaj reforme dakordësia është dhënë dhe besoj do të realizohet prova që do të bëhet për përdorimin e teknologjisë së informacionit. Gjë që nëse seriozisht konsiderohet nga partitë politike si një mundësi e mirë për të zëvendësuar atë që ato nuk e bëjnë dot vetë me komisionerët e tyre, do të jetë një hap i mirë drejt mirëadministrimit të votës dhe besueshmërisë së procesit. Pres të bëhen edhe hapa të para drejt trajtimit të cështjeve që kanë të bëjnë me të tjerë që përfshihen në proces, siç është media, duke parë mirë me sy atë situatë që aktualisht ne kemi.