Presidenti serb: Ndihem shumë mirë në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç hyri në Kosovë përmes kalimit kufitar të Bërnjakut, pak pas orës 14.00. “Jam i lumtur që jam në Kosovë. Ndihem shumë mirë këtu”, ishin fjalët e tij të para.

Vuçiç shoqërohet gjatë vizitës së tij në Kosovë nga drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar dhe kreu i BIA-s, Bratislav Gashiç.

Flamuri i Serbisë mirëpret Vuçiçin në Leskovë, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Ai është i vendosur gjatë gjithë rrugës, nga Jarinja në Mitrovicë.

Në orën 17:00, Vuçiç do të ndalet në Shkollën Bujqësore të këtij rajoni, për të vijuar më pas me vizitën në hollin e Pallatit të Sportit në Leposaviç në 17:45.
Në mbrëmje, rreth orës 19:00 ai do të mbërrijë në Zveçan, qytet ku do të kalojë edhe natën.

Agjenda është mësuar e detajuar nga “KosovaPress”, sipas së cilës, dita e dytë e Vuçiçit në Kosovë do të nisë me vizitën 30-minutëshe në Qendrën Shëndetësore të Mitrovicës, të dielën në orën 8:00, për t’u kthyer sërish në Zveçan.

E diela parashikon edhe vizitat në fshatin Banjë, sërish në Mitrovicë, e më tej në orën 13:00 do të largohet nga Kosova përmes pikës kufitare të Jarinjës.

Vizita e tij në Kosovë vjen pas (mos)takimit të dështuar në Bruksel, duke bllokuar në këtë mënyrë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian mes dy vendeve, pikërisht për shkak të deklaratave të autoriteteve kosovare se nuk do ta lejonin Vuçiçin të vizitonte liqenin e Ujmanit.

Por, pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, agjenda e tij u miratua e plotë me qëllim mospërshkallëzimin e tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit.