Petrit Vasili: Rama kasap që copëton të vërtetën

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili në një status në “Facebook” është kthyer pas në kohën kur Rama kandidonte në 2003 për kryetar të PS, duke kujtuar një deklaratë të kryeministrit.

Duke marrë shkas nga fjalimi i Ramës dje në Asamblenë Kombëtare të PS, Vasili thekson se “Rama jargavitet e qurrepset pas karriges se tij, kur një deputet nga te tijët vetëm thotë ca të vërteta të rënda për krimin që po shkatërron vendin e çdo familje”.

Mes të tjerash Vasili e cilësoi Ramën “kasap i së vërtetës”, duke marrë shkas nga përjashtimi i deputetit të PS Gjetan Gjetani nga grupi parlamentar, se ky i fundit kritikoi Policinë e Shtetit.

Postimi i plotë i Petrit Vasilit

Rama kundra Ramës, jargavitje pas merimangave të karriges së pushtetit.

Në vitin 2003 kur kandidonte për herë të parë për kryetar të partisë socialiste, ky Rama si medemek dashnor i të vërtetës që ishte deklaronte:

“Duke parë se sa më shumë i fshihemi të vërtetës aq më pranë humnerës shkon pushteti i socialistëve të thjeshtë dhe jo pushteti i njërit apo i tjetrit, kam vendosur të bëjë edhe këtë kandidim”.

Sot Rama vitit 2018, që jargavitet e qurrepset pas karriges së tij,  kur një deputet nga të tijtë vetëm thotë ca të vërteta të rënda për krimin që po shkatërron vendin e çdo familje, që i di i madh e i vogël në Shqipëri dhe janë në çdo tavolinë në Berlin, Bruksel dhe Uashington, ky e përjashton atë që foli, ndërsa ky vetë kthehet në një kasap që hungërin e që do ta coptojë dhe zhdukë me çdo kusht të vërtetën.

Ja ç’do të thotë që të kesh një kryeministër të shndërruar në gropë septike parimesh dhe morali.