Përjashtimi nga PS i deputetit të Kurbinit, Spiropali: Vendimi s’është kompetencë e Kryesisë

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi live nga Asambleja Kombëtare se deputeti socialist për Kurbinin Gjetan Gjetani duhej të përjashtohej nga grupi parlamentar, vjen reagimi nga sekretarja për bashkëqeverisjen dhe aleancën, Elisa Spiropali.

Në një prononcim për gazetarët para nisjes së Kryesisë së PS ajo deklaroi se përjashtimi nuk është kompetencë e Kryesisë.

“Vendimi nuk është kompetencën e Kryesisë. U diskutua dje në Asamble dhe ajo çështje u mbyll aty. Ajo që vlen të thuhet sot është se kemi një PS dhe një grup parlamentar që janë kompakt sa i takon vizionit”, tha ajo.

Spiropali tha ndër të tjera se së shpejti do nisë turi i llogaridhënies dhe se kryebashkiakët do jenë në terren për të takuar qytetarët në prag të zgjedhjeve lokale.

“Ne kemi fituar betejën e 2017 në koalicion me qytetarët dhe do ta rrisim këtë koalicion. Kryebashkiakët do jenë në territor dhe do takojnë qytetarët për të gjitha problemet dhe do bëhet një analizë për qeverisjen lokale në të gjithë territorin. Diskutuam për procesin e hapjes së PS dhe fushatën për afrimin në PS të njerëzve më të mire”- tha Spiropali.