Nga heroi Strakosha te zbulimi Binaku, ja 5 gjërat që mësuam nga ndeshja me Izraelin

Strakosha është “heroi i heshtur” i kuqezinjve

Një lider nuk mund të jetë gjithmonë një futbollist agresivë në fushën e lojës, por ka edhe të tillë që janë të heshtur dhe flasin më shumë me veprat e tyre në fushë. Njëlloj si edhe Thomas Strakosha, i cili po tregon çdo ditë e më shumë se ka reflekse edhe më të mira se babi i tij. Për të kuptuar pjekurinë, jo vetëm sportive të tij mjafton të dëgjosh fjalët e thëna pas ndeshjes, fjalë që duket sikur kanë dalë nga një futbollist me përvojë të gjatë dhe jo nga një 23-vjeçar. “Gabimet individuale janë pjesë e futbollit, rëndësi ka që luajmë si grup. Unë bëra vetëm detyrën, pasi për të pritur topa qëndroj në portë”, deklaroi portieri kuqezi pas takimit. Strakosha ishte njeriu i mrekullive, pasi dy nga ndërhyrjet e tij nuk përfshihen mes pritjeve të zakonshme. E para ndaj Kayal ishte një miks mes instiktit, reagimit të shpejtë dhe vetëbesimit, ndërsa e dyta ishte e gjitha forcë karakteri për të besuar deri në fund, madje deri aty ku askush nuk besonte. Ai është shprehur se ka bërë vetëm detyrën, por kampionët e tillë veprojnë gjithmonë në heshtje.

Binaku është zëvendësuesi ideal i Agollit

Mbrojtësi i Malmos bindi në stërvitje dhe zbriti si titullar në sfidën ndaj Izraelit, duke qenë edhe një nga befasitë më të mëdha të formacionit fillestar të Christian Panuccit, por 90-minutëshi i “Elbasan Arenës” duket se i dha të drejtë teknikut italian. Egzon Binaku ishte futbollisti që mori më shumë duartrokitje gjatë takimit, nga tifozët e paktë të pranishëm në shkallët e stadiumit, duke luajtur si të ishte një veteran i Shqipërisë dhe jo si debutues, që ishte në të vërtetë. Me një fizik për t’u admiruar, formë sportive optimale, nivel mjaft të lartë teknik dhe mbi të gjitha kujdes të theksuar në pozicionim dhe mbylljen e hapësirave, Binaku bllokoi çdo tentativë të izraelitëve, për të sulmuar nga krahu i tij. Ndonëse në krahun e djathtë luante mbrojtësi i Napolit, Elseid Hysaj, organizimi i lojës së kuqezinjve fillonte thuajse gjithmonë nga e majta, aty ku mbrojtësi 23-vjeçar përdorte topin në mënyrë perfekte, kombinonte, shtynte përpara dhe në 2-3 raste tentoi të godasë edhe portën. Në fund të takimit, nuk i kurseu elozhet ndaj Egzon Binakut, duke e cilësuar tashmë një bast të fituar dhe për më tepër, me mundësi reale rritjeje të cilësisë së performancave në të ardhmen. Kështu pavarësisht eksperimenteve të dështuara në ndeshjet miqësore, Panucci më në fund e gjeti mbrojtësin e tij të majtë në një ndeshje zyrtare dhe tashmë do të ketë një telash më pak në punën e tij në krye të kuqezinjve.

Mesfusha ka eksperiencë dhe kualitet

Migjen Basha, Ledjan Memushaj dhe Taulant Xhaka i kanë dhënë një tjetër pamje repartit të mesfushës. Kualiteti dhe eksperienca e tyre i shërbeu shumë kuqezinjve për të krijuar shumë aksione të rrjedhshme që nga mbrojtja. Basha është ekulibratori, futbollisti i cili pëlqen që ta ketë sa më shumë topin në këmbë, por dhe mjaft luftarak në dyluftimet me kundërshtarët. E vetmja e metë për të është ndoshta fakti që mosha 31 vjeç, ka bërë që në minutat e fundit të humbasë freskinë. Ledjan Memushaj është futbollisti më kualitativ i kuqezinjve nëse shohim ndërtimin e aksioneve. Futbollisti vlonjate tregoi edhe njëherë se është futbollisti kyç në ndryshimin e ritmit të ndeshjeve, duke shpikur goditje nga distanca të largëta dhe duke dhënë pasime mjaft të mira për shokët në repartin e sulmt. “Pesha” e tij në ekip ndihet edhe në fazën defensive kur jo në pak raste arrin që të rrëmbejë topa. Xhaka ndërkohë mund të vlerësohet maksimalisht jo vetëm për golin e shënuar, por dhe për një ndeshje të një niveli të lartë. Më të vërtetë ai shënoi golin e parë në kombëtare, por në një moment dha dhe asist për Gurin, i cili u gjend në një pozicion jashtë loje. Ndoshta ende jo në kondicionin më të mirë fizik, por shumë i lëvizshëm dhe mjaft i nevojshëm.

Qendra e mbrojtjes “fut ujë” sërish edhe ndaj Izraelit

Reparti më problematik për momentin te kuqezinjtë është padyshim qendra e mbrojtjes, e cila vijon të jetë shumë e ngathët. Veseli dhe Gjimshiti edhe pse aktivizohen në ekipet e tyre duket se nuk kanë arritur që të përshtaten më së miri mes tyre. Kjo u duk edhe në pjesën e parë ndaj Izraelit, teksa Zahavi dhe disa futbollistë të tjerë u vendosën në dy-tri raste përballë portierit Strakosha, ndërkohë që në një moment Gjimshiti i dhuroi vetë topin sulmuesit izraelit. Një përgjumje totale e të dy mbrojtësve në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën Veseli ishte më mirë, duke bërë dy ndërhyrje të sakta. Panucci ndërhyri duke hedhur në fushë Prengën dhe Mavrajn, por mesa duket strategu italian ka ende shumë punë për të bërë në repartin e prapavijës.

Qendërsulmuesit vijojnë të mbeten si “hije” në fushë

Trajneri Christian Panucci pas fitores ndaj Izraelit konfirmoi faktin se si Guri dhe Balaj u shërbyen shumë pak nga shokët e skuadrës dhe ky ishte një problem më vete. Sulmuesi shkodran në pjeën e parë mori dy topa duke qenë në të dyja rastet shumë i rrezikshëm, ndërkohë që në pjesnë e dytë u zëvendësua për shkak se nuk u shërbye. Panucci u justifikua për aktivizimin e Balajt menjëherë në pjesën e dytë me faktin se ky i fundit është më luftarak dhe ndihmon më shumë në fazën mbrojtëse. /Koha Jonë/