Malaj: Sistemi i arsimit po përballet me problematika shumë të mëdha për faj të keqqeverisjes

Deputetja e LSI-së: Sikur të kishte politika të vërteta sociale nga qeveria rilindase, sot Enea do të ishte një ndër ata nxënësit që do përfitonte rimbursime nga shteti

Historia prekëse e Eneas, 18 vjeçarit që përmes peshores siguron lekët për të blerë librat e shkollës, dhe që u denoncua sot në Top Channel do të shkaktonte reagimin e klasës politike.

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nora Malaj përmes rrjeteve sociale do të shprehej se e vërteta e historisë së Eneas është e vërteta që na dhemb të gjithëve.

Nga ana tjetër ajo thekson se këtë vit, sistemi i arsimit po përballet me problematika shumë të mëdha, që nga tekstet pseudo të falur, te shkolla jashtë kushteve dhe standardeve për të realizuar arsim cilësor, te mbipopullimi i klasave në kryeqytet e qytetet e mëdha, te kualifikimi i mangët i mësuesve, te mos investimi i mjeteve didaktike e laboratorëve, te buxheti minimal që qeveria i ka akorduar sektorit të arsimit, te braktisja e shkollës, te rënia e frikshme e numrit të nxënësve, deri në dhimbjen që çdo gjë që bëhet sot është lufta për mbijetesë.

Në vijim, ish-Zëvendës Ministrja e Arsimit shprehet se sikur të kishte politika të vërteta sociale nga qeveria rilindase, sot Enea do të ishte një ndër ata nxënësit që do përfitonte rimbursime nga shteti.

“Enea dhe e vërteta që na dhemb tē gjithëve! Enea në rrëfimin e tij, sot në Top Channel, na tregoi një të vërtetë shumë të madhe, po që na dhemb, sakrificën e tij për të blerë libra me peshoren e tij portative dhe vështirësitë që ai ka dhe familja e tij. Papunësi, të ardhurat minimale, kushtet e vështira jo vetëm të Eneas, po dhe të mijëra fëmijëve e familjeve që janë në kushtet e Eneas, janë një klithmë për të gjithë shoqërinë. Këtë vit, sistemi i arsimit po përballet me problematika shumë të mëdha, që nga tekstet pseudo të falur, te shkolla jashtë kushteve dhe standardeve për të realizuar arsim cilësor, te mbipopullimi i klasave në kryeqytet e qytetet e mëdha, te kualifikimi i mangët i mësuesve, te mos investimi i mjeteve didaktike e laboratorëve, te buxheti minimal që qeveria i ka akorduar sektorit të arsimit, te braktisja e shkollës, te rënia e frikshme e numrit të nxënësve, deri në dhimbjen që çdo gjë që bëhet sot është lufta për mbijetesë, ndonëse, për ironinë e fatit, begatia e vendit është e madhe, po makutëria e qeveritarëve të korruptuar dhe të paaftë është maksimale. E përtej retorikës politike, Enea me peshoren e tij elektronike, me besimin te vetja e buzëqeshjen që nuk iu nda asnjëherë, pa u qarë po me krenari e modesti, tregoi se ai e do shkollën dhe se kjo është rruga ku mund të siguroj të ardhurat për t’u pajisur me librat e shkollës. Sikur të kishte politika të vërteta sociale nga qeveria rilindase, sot Enea do të ishte një ndër ata nxënësit që do përfitonte rimbursime nga shteti. Po ky nuk është shteti i shqiptarëve, po qeveria e oligarkëve, që i sheh shtetasit e tij si kavie laboratori, për të bërë eksperimente me ta. Faleminderit Enea, që përtej respektit e mirënjohjes për ty, më vërtetove edhe njëherë thënien e Senekës: “Nuk mësojmë për shkollën po për jetën”!”- u shpreh dje në reagimin e saj deputetja e LSI-së, Nora Malaj.