Edi Rama, dajak PS-së dhe dru deputetit laçian

Edi Rama dje zhvilloi mbledhjen e asamblesë së PS-së, ku e nisi me sulm që në fillim. Goditi struktarat e PS-së në rrethe, sidomos drejtuesit e degëve lokale, të cilët janë kthyer në zyra punësimi e jo drejtimi.  Ai tha se nuk mund të ecet më kështu, duke bërë autokritikë personale, por që binte kryesisht mbi kupolën e selisë rozë, e cila ka rendur pas pushtetit, tani që e kanë krejt “tepsinë” për vete. Kryeministri i veshur me atlete dhe me këmishë lëshuar për duel, nuk vonoi dhe përjashtoi live  deputetin e tij në rrethin e Laçit, Gjetan Gjetanin. Kryeministri e largoi deputetin nga PS-ja, pas asnjë hezitim, tamam si dikur  Hrushovi shkarkoi Zhukovin, i cili kishte hypur në avion si ministër, por kur zbriti nuk e priti asnjeri. I menjëhershëm erdhi reagimi i deputetit laçian: Edi Rama vetëm sa i shtoi një dozë tjetër arrogancës së tij- deklaroi deputeti.

Kryeministri foli gjatë në asamble. Por kryesisht hallin e kishte se baza e PS-së po merr zhgënjime, edhe për fajin e drejtuesve lokalë, sipas tij. Nëse lexon mes rrjeshtave fjalimin e tij për përgjumjen e PS-së, tani që pushtetin e kanë krejt vetëm, vëren se sondazhet reale në tavolinën e kryeminiëstrit nuk janë ato që publikojnë mediat servile të tij. Ai e di se rrezikon shumë të humbasë shumicën e bashkive të vendit për shkak të urdisë të drejtuesve të PS-së, të cilët po merren me emërime në administratën e shtetit apo me tenderime dhe kanë harruar bazën, popullin. Natyrisht që Erion Veliaj mbetet kandidat pothuaj fitues edhe në zgjedhjet e tjera vendore në Tiranë, por siç ka thënë vetë Edi Rama kur kandidonte për kryetar se “jetojmë në Tironë, gjithçka mund të ndodhë!”. Dhe “kjo gjithçka…” mund të sjellë papritur edhe në Tiranë ndonjë goditje të papritur për shkak të pushtetit qendror. Pra Erion Veliaj rrezikon të marrë inatin dhe hakmarrjen e popullit ndaj pushtetit qendror. Këtë ka frikë kryeministri. Ai e di që nëse humbet Tiranën për fajin e qeverisjes ekzekutive, opozita mënjëherë do të kërkojë kokën e tij si kryeministër.

Ndaj Edi Rama ishte dje shumë i rreptë me strukturat e partisë. Por ai harron me dashje apo pa dashje, se strukturat e PS-së në bazë veprojnë kështu se shikojnë ministrat dhe zyrtarët e lartë të PS-së që kapërdisen për vete dhe bëjnë sipas shprehjes popullore “sheh rrushi-rrushin, e piqet!”. Dje kryeministri i ktheu përgjigje, me kunja, liderit të opozitës Basha për çështjen e Vettingut politik. Në fakt duket lojë sorosiane e nivelit të lartë, ku me Edi Ramën po pastron dhe merr drejtësinë, ndërsa me Lulzim Bashën po bën vetting në politikë. Dyshimet mbeten se Basha dhe Rama po luajnë “poker”, por mbetet të shikojmë, pa u ngutur. Megjithatë kryeministri Rama e hodhi një minë (mundet fallso) në bahçen e PD-së, ku tha se e pranojmë si PS, vettingun e Bashës, por me një kusht: duhet të fusim edhe kunatin dhe djalin në vetting. E kishte fjalën për Bashën dhe Berishën.

Edi Rama bëri edhe një lëvizje me finesë, pa rënë në sy. Spostoi zv/kryeministren Senida Mesi në detyrën e sekretares së burimeve njerëzore në PS, çka sipas statutit të PS-së nuk mund të ketë edhe post ekzekutiv. Pra një lëvizje e bëri dje Rama. Numrin dy në qeveri e largoi për ta bërë gati për kandidim në Shkodër. Ndërsa ministrat e tjerë rrijnë me zemër në dorë se nuk e dijnë kur do ti largojë. Shikojnë humorin e Endri Fugës, por ai nuk buzëqesh më, kohët e fundit.

S.P