Dronë dhe helikopterë, masa të forta sigurie për panairin ndërkombëtar të Selanikut

Më shumë se 5.000 forca të policisë lokale, por edhe nga Athina janë mobilizuar në operacionin e sigurisë, në prag të hapjes së panairit ndërkombëtar të Selanikut.

Të shtunën në mesditë, që zhvillohet dhe ceremonia zyrtare me fjalimin e kryeministrit Tsipras, janë paralajmëruar protesta intensive.

Jo vetëm kundër masave shtrënguese të qeverisë, por edhe ndaj marrëveshjes që Tsipras nënshkroi në qershor me homologun maqedonas Zoran Zaev, për çështjen e emrit.

Sipas shtypit, në protestat për emrin e Maqedonisë, grupime të ekstremit të djathtë do të mund të tentojnë provokacione të rënda.

Tradicionalisht, gjatë ditëve të panairit ndërkombëtar, Selaniku përjeton një gjendje shtetrrethimi. Por sivjet, ka një arsye më shumë. Vendin e nderit në panairin e tanishëm e kanë Shtetet e Bashkuara, në një rajon me ndjenja të theksuara antiamerikane.

Për këtë arsye, në Selanik ndodhen prej disa ditësh agjentë të FBI-së dhe të CIAS-s, që koordinojnë pjesën e tyre të operacionit. Në portin e qytetit është ankoruar anija e komandës së Flotës së 6-të, “USS Mount Whitney”.

Testi i parë i sigurisë do të realizohet sot gjatë ditës, kur kryeministri Tsipras do të presë sekretarin amerikan për tregtinë, Ëilbur L. Ros, që vjen në Selanik enkas për panairin, shkruan ora neës.

Në shumë prej rrugëve kryesore të Selanikut dhe gjithë zonën rreth panairit do të ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve, madje edhe të transportit publik.

Në mbështetje të operacionit të sigurisë janë mobilizuar edhe snaipera, helikopterë, si dhe dronë.